E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i Financave, 90 mijë biznese të reja bëhen pagues të TVSH-së



Ervin KOÇI

Vitin e ardhshëm, rreth 90 mijë biznese të reja në të gjithë vendin, do të bëhen pjesë e pagesës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Ky nuk është një projekt i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, por një vendim i vet Ministrisë së Financave e cila ka në plan që për vitin e ardhshëm të zgjerojë numrin e bizneseve pagues të TVSH-së, duke ulur pragun e xhiros vjetore për një subjekt nga 5 që është aktualisht në 3 milionë lekë. Nisur nga kjo, pritet që të futen në skemën e pagesës së TVSH-së rreth 90 mijë biznese të reja që deri tani janë klasifikuar si biznese të vogla dhe që nuk e paguanin këtë taksë pasi kishin një volum xhiroje vjetore nën 5 milionë lekë. Kjo do të thotë që shumica e biznesit aktiv në vend do të preket nga ky vendim që pritet të merret nga MF-ja në muajin shtator, por që do të gjejë zbatim nga 1 janari i vitit 2011. Në këtë skemë janë të përfshira aktualisht 24,927 biznese, të cilat kanë një xhiro vjetore minimalisht mbi 5 milionë lekë por ky numër do të rritet në mënyrë të konsiderueshme nëse pragu minimal i TVSH-së do të shkojë në 3 milionë lekë.

Ndryshimet
Pas ndryshimeve në buxhet duket se futja në TVSH-ë e biznesit me një xhiro më të ulët se 5 milionë lekë, do të jetë një nga detyrat kryesore të Financave. Do të jetë pikërisht ligji i ndryshuar ai që do të vendosë pikat mbi i. Ai do të sanksionojë pikat kyçe si p.sh., nëse këto biznese do të kenë përgjegjësi për tatimfitimin, nëse ato do të paguajnë taksat si biznes i madh, apo edhe nëse subjektet do të jenë me TVSH-ë që në muajin janar të vitit që vjen apo jo. Kjo nismë që pritet të zërë vend së shpejti në debatet mes ekspertëve dhe grupeve të interesit, vjen pas deklaratës që kreu i Ministrisë së Financave, Ridvan Bode, bëri gjatë muajit qershor kur u shpreh se “po mendohet që në vitin 2011 të bëhet një ulje e pragut të TVSH-së deri në 3 milionë për bizneset”. Ndërkohë, ai theksoi se, më vonë ky prag do të shkojë në 2 milionë lekë xhiro vjetore dhe ky do të jetë edhe limiti i fundit për përfshirjen në TVSH-ë të biznesit. Financat dhe Tatimet e kanë justifikuar herë pas here futjen e biznesit në skemë me faktin e formalizimit të ekonomisë si rezultat i implementimit të pajisjeve elektronike fiskale. Nga ana tjetër, është edhe fakti që bizneset do të jenë të detyruara që të bëjnë regjistrimin e gjithë punonjësve që kanë të punësuar.

Rekomandimet
Fondi Monetar Ndërkombëtar i rekomandoi qeverisë shqiptare dhe në veçanti Ministrisë së Financave, që të rishikojnë bazën e taksave në mënyrë që të rritin të ardhurat dhe rrjedhimisht të ulet borxhi. Qeveria shqiptare ka deklaruar hapur se nuk do të bëjë asnjë rishikim të bazës së taksave për t'i rritur ato, por praktikisht ka gjetur një mënyrë tjetër për të zbatuar këshillën e Fondit. Në kohën kur s'mund të zgjerohet baza e taksave mund të zgjerohet baza e tatimpaguesve çka do të sjellë të njëjtin efekt mbi të ardhurat. Një tjetër këshillë e FMN-së lidhet me forcimin e administratës tatimore, e cila lidhet drejtpërdrejt me mirëmenaxhimin dhe eficiencën e sistemit.

Bie kreditimi për ekonominë, qershori muaji më i dobët

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se në muajin qershor kredia për ekonominë jo vetëm që nuk u rrit, por pati një rënie të lehtë. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të qershorit kredia totale për ekonominë ishte 457.6 miliardë lekë, ose 200 milionë lekë më pak se një muaj më parë. Krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar, kredia është rritur për gjysmën e parë të vitit në total me vetëm 3.8 për qind. Këto të dhëna janë publikuar në fillim të kësaj jave, ndërsa situata është komentuar më parë edhe nga guvernatori i BSH-së. “Investimet private vlerësohen në rënie në pjesën e parë të vitit, por janë më të mëdha se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Kurse kushtet e shtrënguara të aplikuara nga bankat kanë dekurajuar kërkesën për kredi”,- ka deklaruar Guvernatori Fullani. Ata të cilët e kanë më të vështirë të marrin një kredi në bankë, janë individët. Bankat që prej më shumë se një viti thuajse e kanë stopuar fare kredinë për individët. Sipas të dhënave, krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, kredia për individët është rritur me vetëm 0.6 për qind, një tregues ky që, sipas vetë bankës dëshmon për rënie të konsumit në ekonomi. Studime të BSH-së tregojnë se, vitet e fundit kredia ka qenë një nga nxitësit kryesorë të ekonomisë duke kontribuar mesatarisht me 1.5 për qind në normën vjetore të rritjes ekonomike.

3 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›