Vendimi, Greqia ul me 20 për qind pagat për 3.5 milionë punonjës
Ervin KOÇI
Greqia ka vendosur të shkurtojë deri në 20 për qind pagat e punonjësve të sektorit privat. Kjo është një tjetër masë radikale që qeveria e shtetit helen po ndërmerr për të zbutur krizën ekonomike, por nga e cila më të humbur dalin emigrantët dhe kryesisht ata shqiptarë. Sipas një vendimi që qeverisë Greke, ulja e pagave do të bëhet deri në masën 20 për qind dhe do të prekë rreth 3.500.000 punonjës të sektorit privat në Greqi. Kjo gjë është bërë e ditur nga Komisioni Europian dhe Banka Kombëtare Greke, të cilat ishin edhe propozuesit e kësaj lloj mase emergjente. Ky vendim vjen pas legjislacionit që shfuqizon pagën e 13-të dhe të 14-të, ose ngrirjen e pagave. Sipas gazetës greke “Ta Nea”, raporti i auditorëve të Komisionit Europian, i cili u hartua në bazë të gjetjeve të misionit të Komisionit në muajin qershor, pavarësisht nga dyshimet e shprehura nga shumë sindikata dhe shoqata, në dy tema janë kategorikë: e para është rritja e papunësisë dhe e dyta reduktimi i pagave gjatë vitit 2010.
Arsyet
Arsyet për këtë reduktim janë të shumta. Arsyeja e parë është rritja e inflacionit, i cili gjatë dy muajve të fundit ishte në 5.4 për qind dhe 5.2 për qind. Tregtarët grek e shikojnë si “të sigurt” mundësinë se inflacioni do të arrijë në 6.0 për qind. Sipas vlerësimeve të “IOBE”-s, ku merr pjesë edhe Komisioni Europian, zyrtarisht theksohet se inflacioni deri në fund të vitit do të mbyllet me 4.5 për qind. Kjo shifër është një humbje e drejtpërdrejtë e pagave të punonjësve të sektorit privat. Sigurisht ky reduktim prek edhe emigrantët të cilët punojnë në sektorin privat.
Emigrantët
Jetesa e emigrantëve shqiptarë në Greqi sa po vjen dhe po bëhet gjithmonë e më e papërballueshme. Si të mos mjaftonte kriza dhe papunësia, tani barrës së tyre ekonomike po i shtohen edhe taksat e larta që shteti grek po vendos për të gjithë qytetarët në këtë vend. Nga 7 deri në 20 për qind do të rriten taksat vjetore të makinave (teli kikloforias), në bazë të vjetërsisë së makinës. Ndryshimet i vendosën mbrëmjen e së mërkurës Ministri i Financave, Jorgos Papakonstandinu dhe Ministrja e Mjedisit, Tina Birbili. Sipas gazetës “Proto Thema”, tarifat do të rriten sipas vjetërsisë së automjeteve. Për makinat që do të dalin për herë të parë në treg në vitin 2011, tarifat do të rriten në bazë të lëndës djegëse. Për makinat që gjenden në qarkullim, është propozuar që të funksionojë shkalla e vjetër e vitit 2008, me rritje nga 7 deri në 20 për qind.
BOX////////////////////////////////
Greqi: Përfundon greva e shoferëve
Shoferët e kamionëve në Greqi i dhanë fund grevës gjashtë ditore, duke shënuar në këtë mënyrë një fitore për qeverinë socialiste. Qeveria të mërkurën i kishte kërcënuar shoferët t’i ktheheshin punës, në të kundërt do tu hiqeshin licencat. Kamionistët e vazhduan grevën për gjashtë ditë ndërsa furnizimi me karburant i aeroporteve, spitaleve dhe centraleve elektrikë është kryer me ndërhyrjen e ushtrisë. Sipas të dhënave të industrisë greke të turizmit, greva ka shkaktuar rënie të ndjeshme të rezervimeve, kryesisht të atyre me afat të shkurtër. Restorantet kanë pasur rënie deri në 25 për qind të volumit të punës.
Shkurt///////////////////////////////
Donatorët ofrojnë 250 milionë euro kredi për rrugën Tiranë-Elbasan
Projekti për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan dhe by-pas-i i Fierit janë në përmbyllje të gjetjes së financimeve. Zëvendësministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, deklaroi dje se, janë në fazën e përmbylljes më shumë se 300 milion euro kredi të buta të marra nga donatorë të ndryshëm. "Projekti konkret Tiranë-Elbasan është pikërisht në fazën e përmbylljes së paketës investuese në vlerën rreth 250 milionë eurove. Projekt tjetër i rëndësishëm është by-pas-i i Fierit, që është dhe ai duke u përmbyllur përsa i përket investimit me një vlerë prej 55 milionë euro",- tha zëvendësministri i Transporteve, Haxhinasto. Garantimi i financimeve për këto dy projekte që mund të nisin vitin e ardhshëm i bashkëngjitet një totali prej 270 milion eurosh financime të huaja, që po zbatohen aktualisht në rrugët kombëtare. "Jemi në proces të përmbylljes së paketës investuese për këto projekte dhe unë mendoj që brenda vitit të ardhshëm të mund të kemi hapa konkret, për realizimin konkret të tyre",- vijon ai. Qeveria po përgatitet për dyfishim të investimeve në rrugë. Sipas planit buxhetor, vitin që vjen, në infrastrukturë do të përqendrohen 22 miliard lekë, nga 11 që ishin këtë vit.
Tre shtete ballkanike dakord për një kompani të njëjtë hekurudhore
Serbia, Kroacia dhe Sllovenia, ranë dakord të formojnë një kompani të përbashkët hekurudhore që ka si synim përmirësimin e transportit rajonal nga shtetet e Bashkimit Evropian në Turqi përmes tre vendeve ballkanike. Përfaqësuesit e tre ish-republikave jugosllave e nënshkruan marrëveshjen dje në Beograd. Zyrtarët e tre vendeve shpresojnë ta shkurtojnë kohën e udhëtimit mes kryeqytetit të Sllovenisë, Lubjanë dhe Stambollit nga 60 në 35 orë. Sipas marrëveshjes, Sllovenia, Kroacia dhe Serbia do të punojnë për të eliminuar disa nga vonesat në pikëkalimet kufitare duke thjeshtëzuar procedurat doganore dhe administrative. Zyrtarët e tre vendeve ballkanike shpresojnë se shërbimet më të mira dhe më të shpejta të transportit do të tërheqin më shumë biznes. Ministri serb, Milutin Mrkonjiç, u tha gazetarëve pas ceremonisë së nënshkrimit se, kompania e re do ta ketë qendrën në Lubjanë dhe do të fillojë të funksionojë në shtator.
3 Gusht 2010