E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pikat ku ndahet FMN me qeverinë

Edhe pse palët, në fillim dhe në fund të konferencës falënderuan njëri-tjetrin, brenda saj, dukej qartë kontradiktat që kanë ndaj një sërë çështjesh. Ministri i Financave, Ridvan Bode dhe shefi i Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Gerwin Bell, nuk ndanë të njëjtat pikëpamje për sa u takon parametrave të buxhetit 2009 dhe krizës ekonomike, që mund të përfshijë vendin në 2009. Në mes të të dy palëve qëndronte Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili u përpoq të ishte më i ftohtë ndaj deklaratave për rritjen ekonomike, ndërsa ka preferuar të jepte dhe ai versionin e BSH-së. Konferenca e djeshme nxori në pah disa qëndrime të kundërta mes palëve. E para, FMN deklaron një rritje ekonomike për 2009, që shkon në 3,5%-4%, ndërsa ministri i Financave pretendon një shifër prej 6%. E dyta, FMN shpreh qëndrimin për një deficit buxhetor poshtë 4%, kurse ministri deklaroi një nivel prej 4,2%. E treta, Fondi shpreh një ulje të eksporteve, remitancave dhe kreditimit, ndërsa Financat deklarojnë të kundërtën. Në të vetmen çështje, ku palët kanë rënë dakord, ka qenë shtyrja e aplikimit të uljes së taksës me 5% të kontributeve shoqërore, duke e lënë 20% deri më 1 maj.

Qeveria

Ministri i Financave konstaton që viti 2008 do të respektojë parametrat e programuara sipas buxhetit shtesë, së rritja ekonomike do të jetë në parametrat e programuara në 6%, me nivel inflacioni 3% dhe se deficiti buxhetor do të mundësohet të shkojë në nivelin 5.2%. Nisur nga këto shifra, qeveria parashikon ecuri pozitive të rritjes ekonomike për vitin 2009. "Ne kemi programuar që rritja ekonomike të jetë në të njëjtat parametra me vitin 2008, në nivelin 6%, që është dhe rritja më e fortë ekonomike në rajon, pavarësisht parashikimit të FMN-së", tha ministri. Lidhur me pretendimin e Fondit për një rritje prej 3,5%-4%, Bode tha se ky skenar nuk qëndron për një sërë arsyesh. "Politika fiskale ka bërë më të mirën për të garantuar një rritje tepër të lartë ekonomike të vendit. Ne jemi krenarë që vijojmë të ruajmë përtej trazirave dhe turbulencave të sistemit bankar dhe monetar në botë, një rritje shumë të lartë ekonomike. Rritja ekonomike prej 6% e përgatitur në buxhetin e vitit 2009 është përsëri një mbështetje e fuqishme për ekonominë reale, për t‘i dhënë shpesë dhe mundësi ekonomisë shqiptare", tha kreu i Financave. Sa i takon ndikimit që mund të japë kriza financiare te tregtia e jashtme, konkretisht tek eksportet, ministri tha se, "një ekonomi e lidhur me botën më shumë përmes importeve sesa eksporteve ka më shumë shanse për të pasur një ecuri pozitive". Duke u rikthyer te rritja ekonomike, Bode, jo vetëm që kundërshton pretendimin e FMN-së, deklaron për një rritje akoma e më të madhe se 6%. Lidhur me nivelin e inflacionit, ministri vlerëson një nivel prej 3%, ndërsa sa i takon politikës fiskale, ajo do të mbetet e pandryshuar deri më 1 maj 2009. "Programi për vitin 2009 parashikon një ulje me 1 pikë përqindje të PBB-së të deficitit buxhetor, ndërsa parametrat e buxhetit të vitit 2009 janë realistë dhe kjo përbën kontributin më të madh për të mbajtur një situatë optimizmi në ekonominë shqiptare", tha kreu i Financave. Sa i takon krizës financiare dhe efekteve të saj, qeveria ka programuar rezerva të mjaftueshme për të mundësuar çdo eveniment të ekonomisë gjatë vitit 2009.

Fondi

Rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto, pra ekonomia në tërësi e Shqipërisë, për 2008-ën do të jetë afërsisht te 6%, ndërsa inflacioni parashikohet të jetë deri në fund të 2008-ës, me 3%, pra brenda objektivit të BSH-së. Vlerësimet e para të FMN-së flasin për një situatë pozitive të gjendjes ekonomike në Shqipëri, por me një ndryshim tepër të madh në 2009. Shefi i Misionit, Bell, deklaroi hapur për një ulje të rritjes ekonomike, në masën deri në 4%, që gjithsesi konsiderohet tepër i lartë në krahasim me vendet e rajonit. Duke qëndruar te çështja e krizës ekonomike që mund të përfshijë Shqipërinë, skenarët e FMN-së flasin për ulje të eksporteve dhe importeve, duke ndikuar te rënia e të ardhurave. Po ashtu, Bell tha se, do të ketë ndikim negativ të të ardhurave nga emigrantët, ndërsa niveli i investimeve të huaja do të bjerë. Sipas Bell, kjo situatë negative, do të jetë edhe në vende të ndryshme të botës. Sa i takon deficitit buxhetor, Bell sugjeron një nivel nën 4%, në një kohë që qeveria ka vendosur ta mbajë atë për 2009-ën në masën e 4,2%.

Deklarata e FMN-së

Rritja e të ardhurave tatimore është ngadalësuar tani
Ka nisur me sukses privatizimi i kompanisë së shpërndarjes së energjisë, megjithëse pozicioni financiar i KESH-it është duke u përkeqësuar përsëri
Ekonomia e Shqipërisë nuk është e paprekshme: rritja e eksporteve pritet që të ngadalësohet nga nivelet e larta të kohëve të fundit, dërgesat e emigrantëve mund të ndikohen dhe investitorët mund të rivlerësojnë rreziqet
Qeveria duhet të ndërmarrë hapa shtesë për të rritur besimin në vend, pasi në klimën aktuale politikat është më mirë të jenë më të matura se ç‘duhet
Kjo do t‘i mundësonte Shqipërisë të regjistronte një rritje ekonomike domethënëse midis 3.5 dhe 4% në vitin 2009
Për vitin 2008, misioni këshillon një rishpërndarje të shpejtë të shpenzimeve
Deficiti të kufizohet në 5.2% të PBB-së. Në të ardhmen, misioni rekomandon që të ruhet deficiti në vitin 2009 nën 4% të PBB-së
Projektbuxheti, së bashku me një rritje të pritshme të tarifës më shumicë të energjisë së KESH-it dhe shtyrjen e parashikuar të uljes së normës së kontributeve të sigurimeve shoqërore për në 1 maj 2009, është në përputhje me këtë synim
Banka e Shqipërisë duhet të vazhdojë të jetë e gatshme për t‘iu kundërvënë çdo përkeqësimi në pritshmëritë për inflacionin, përfshirë këtu edhe nëpërmjet rritjes së normës së interesit

Përplasja

FMN deklaron një rritje ekonomike për 2009, që shkon në 3,5%-4%, ndërsa ministri i Financave pretendon një shifër prej 6%

FMN shpreh qëndrimin për një deficit buxhetor poshtë 4%, kurse ministri deklaroi një nivel prej 4,2%

Fondi shpreh një ulje të eksporteve, remitancave dhe kreditimit, ndërsa Financat deklarojnë të kundërtën



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›