E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memushi kundër Bejës: Fondet të pamjaftueshme

Buxheti i 2009-ës për arsimin ka ndezur debatin në komisionin parlamentar të edukimit, ndonëse ministri i Arsimit, Fatos Beja, ka deklaruar se do të mbahet premtimi për dyfishimin e rrogës së mësuesve. Beja raportoi dje në komision, për zërat e buxhetit 2009 që lidhen me arsimin. Ai tha se buxheti për arsimin në vitin e ardhshëm do të jetë 41 miliardë e 169 milionë lekë, nga 36,9 miliardë që ai ka qenë në 2008. Nga këto, 3.2 miliardë lekë investime do të shkojnë në arsimin bazë, 912 milionë lekë në arsimin e mesëm, 1.8 miliardë investime do të shkojnë për arsimin e lartë dhe 330 milionë lekë do të jetë fondi për kërkimin shkencor. Por, rritja e buxhetit për arsimin me rreth 4 miliardë lekë dhe premtimet e shumta për investime dhe rroga të dyfishuara

kanë bërë që ish-kreu i Arsimit, Luan Memushi, të shprehet se ky është një fond i pamjaftueshëm, për të mbuluar shpenzimet dhe nevojat që ka arsimi në vend. Nga ana tjetër, kryetarja e këtij komisioni, Valentina Leskaj, kujtoi premtimin e pa mbajtur të Ministrisë së Arsimit se 40% e të rinjve do t‘i drejtoheshin arsimit profesional. Lidhur me këtë, Beja është justifikuar me faktin se të rinjtë shqiptarë duan të shkojnë të gjithë në universitete.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›