E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtoria e Taksave ne Bashkine e Tiranes shton kontrollet rrit rezultatet

Drejtoria e Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës ka përmirësuar ndjeshëm rezultatet e saj gjatë tre javëve të fundit.

Janë rritur të ardhurat, është shtuar numri i kontrolleve, ka nisur puna për mbledhjen e borxheve, si dhe janë marrë masa në rastet e konstatimit të paligjshmërisë në territorin e kryeqytetit.

Niveli i mbledhjes së taksave deri në fund të muajit korrik nga Bashkia e Tiranës, ishte 55 përqind krahasuar me muajin korrik të vitit të shkuar.

Sot, niveli i mbledhjes së taksave është rritur me 13 përqind, pra 68 përqind, krahasuar me muajin gusht të vitit të kaluar.

Kontrollet e inspektorëve të tatim-taksave gjatë këtij viti kryheshin 1 deri 2 herë në muaj.

Sot, këto praktika janë shumëfishuar në funksion të reduktimit të informalitetit.

Drejtoria e Tatim-Taksave vazhdon punën për nxjerrjen e borxheve, si dhe ka njoftuar subjektet (377 te Biznesit te Madh dhe 244 te biznesit VIP) duke u bërë të ditur detyrimet që ata kanë.

Gjithashtu, Drejtoria e Tatim-Taksave ka bërë thirrje për respektim të afateve për shlyerjen e borxheve, duke u kujtuar subjekteve se në rast të kundërt nuk do të përfitojnë dot nga ligji i faljes së gjobave dhe si pasojë, do të mbetet në fuqi edhe detyrimi edhe penaliteti.

Inspektorët e tatim-taksave kanë rritur kontrollet në terren duke evidentuar dhe marrë masa në rastet e mosrespektimit të ligjit.

Kështu, janë evidentuar 369 subjekte tregtare të paregjistruara dhe janë marrë masat për futjen e tyre në skemën e pagesës së taksave.

Gjithashtu, në bashkëpunim me policinë bashkiake janë marrë masa për lirimin e hapësirave publike ne 247 raste, dhe rikthimin e tyre për qytetarët.

Përmirësimi i punës së Drejtorisë së Tatim-Taksave ka ardhur si rezultat i reduktimit të informalitetit, rritjes së kontrollit dhe menaxhimit me efiçencë të fondeve publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›