E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtuesi i ri i Krimeve të Rënda, Olsian Çela

TIRANE – Reforma e Ina Ramës prek edhe autoritetet drejtuese të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë. 

 Prokurori Adnand Kosova, i cili drejtonte këtë institucion prej janarit të vitit 2004, është larguar dje nga kjo detyrë me urdhër të Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Kjo e fundit me një motivacion të artikuluar qartë, ka vendosur që ish-drejtuesin e Krimeve të Rënda, ta komandojë prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme duke e larguar nga funksioni i tij i mëparshëm 4-vjeçar. Kosova është komanduar në Prokurorinë e Përgjithshme e cila në hierarkinë e organit të akuzës është dy shkallë më lart se Prokuroria e Krimeve të Rënda. Në vend të Adnand Kosovës, drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, është emëruar prokurori magjistrat Olsian Çela. Ky i fundit prej tre vitesh ushtron detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa dje ka marrë drejtimin e këtij institucioni. Më parë prokurori Olsian Çela ka punuar edhe në Prokurorinë e Tiranës, pasi përfundoi magjistraturën (1998-1999) me temën: Veprat penale kundër shëndetit dhe problemet e praktikës gjyqësore. Prokurori Olsian Çela, i cili tashmë ka marrë drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka kryer edhe një sërë trajnimesh dhe specializimesh brenda dhe jashtë Shqipërisë për hetimin e trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar. Ndryshimet në drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, janë paralajmëruar prej kohësh në rrugë jozyrtare, pas emërimit të Ina Ramës në Prokurorinë e Përgjithshme. Kandidati më favorit mes prokurorëve pretendentë ishte prokurori Olsian Çela. Pak ditë më parë, ai u zgjodh anëtar i Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme me plot 102 vota të prokurorëve nga i gjithë vendi. Për pak kohë në vitin 2006, Olsian Çela kreu hetime lidhur me dosjen e zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha, që më pas i kaloi një grupi prokurorësh. Një tjetër dosje e hetuar prej tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka qenë ajo e të akuzuarit për vrasjen e Fatmir Ramës tek kompleksi “Kartodrom 2000”, më 29 mars 2003. Një tjetër dosje e hetuar nga Olsi Çela, ka qenë ajo e trafikut ndërkombëtar të drogës, “Kompas”, dosjen penale të Pashk Lleshit dhe bandën e Kamzës të drejtuar nga Petrit Lleshi. Emërimi i Olsian Çelës në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka qenë një procedurë në kompetencë të Ina Ramës dhe dekreti i presidentit për këtë emërim ka qenë i panevojshëm. Ligji ia ngarkon Prokurorit të Përgjithshëm të drejtën dhe kompetencën për të lëvizur, transferuar apo emëruar, prokurorët brenda institucionit ku punojnë pa qenë e nevojshme të kërkohet dekret nga Presidenti. Megjithatë sipas burimeve të Prokurorisë, emërimi i drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, mësohet se ka qenë një vendimmarrje e Kryeprokurores Ina Rama në konsultim me të gjithë instancat e duhura përfshirë këtu edhe Presidentin e Republikës. Prokuroria e Krimeve të Rënda e krijuar që në janar të vitit 2004 është profilizuar si një nga të vetmet institucione të specializuara në hetimin, zbulimin dhe dokumentimin e krimeve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar në Shqipëri. Për herë të parë në historinë e drejtësisë shqiptare, kjo Prokurori gjatë katër viteve realizoi goditjen e dhjetëra grupeve kriminale, duke aplikuar metodat e hetimeve speciale, bashkëpunëtorëve dhe të penduarve të drejtësisë dhe hetimin pasuror.                 t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›