E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-truproja i Enver Hoxhës në polici: Po më kërcënojnë

 

Dashamir Biçaku

Ish-truproja dhe shefi i grupit të sigurimit të Enver Hoxhës, Sulo Gradeci, denoncon në polici kërcënimet dhe fyerjet që po i bëhen nga persona të panjohur. “Më kërcënojnë dhe më provokojnë në shtëpi duke i rënë portës hyrëse”, ka qenë denoncimi i paraqitur në organet e rendit nga familja Gradeci, banuese në Tiranë. Policia e kryeqytetit filloi menjëherë verifikimin e ngjarjes në zonën e ish-Bllokut pas telefonatës së familjes së Sulo Gradecit në sallën operative. Të mërkurën në mbrëmje rreth orës 23:25, në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, familja e njeriut më të afërt të ish-diktatorit ka telefonuar duke kërkuar ndihmën e organeve të rendit. “I bien derës dhe më pas na shajnë dhe na kërcënojnë me fjalë”, mësohet se ka qenë pohimi i pjesëtarëve të familjes Gradeci gjatë komunikimit në telefon me policinë. Pas telefonatës së bërë në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, një patrullë me efektiva blu, ka mbërritur në rrugën “Sami Frashëri”, ku banon familja e Sulo Gradecit. Sipas pretendimit të këtij të fundit, personat e panjohur e kishin përsëritur disa herë këtë veprim të konsideruar prej tij si kërcënim. Familjarët e 86-vjeçarit kanë dëshmuar për policinë se personat e panjohur pasi i binin derës largoheshin dhe më pas ktheheshin sërish për të kryer të njëjtat veprime. Po kështu veç provokimeve të pretenduara nga të afërmit e Gradecit, autorët e kërcënimeve kanë lëshuar në drejtim të familjes sharje dhe fyerje të përsëritura. Këto veprime të personave të panjohur në dëm të familjes së njeriut më të afërt të ish-diktatorit, kanë bërë që ata të lajmëronin sallën operativë të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Pas mbërritjes së patrullës së policisë në adresën e lajmëruar nga të shqetësuarit, hetuesit kanë marrë një deklarim pjesëtarëve të familjes, si dhe i kanë pyetur nëse kanë pasur shqetësime apo konflikte të mëparshme. “Kjo është hera e parë që ndodh një gjë e tillë”, mësohet të kenë pohuar të afërmit e ish-truprojës së Enver Hoxhës. Po kështu uniformat blu kanë kërkuar të dinë nga Sulo Gradeci, nëse ai apo pjesëtarë të familjes së tij, kanë pasur ndonjë përplasje apo konflikt me ndonjë fqinj. Edhe në këtë rast, përgjigjja e familjes Gradeci ka qenë negative duke pohuar se s’kishin pasur konflikte me ndonjë person. Punonjësit e patrullës së përgjithshme të policisë kanë kontrolluar zonën dhe shkallën e pallatit ku banonte familja Gradeci, por pa gjetur persona të dyshimtë aty. Pas kësaj efektivët blu kanë lënë në shtëpinë e familjes Gradeci një numër telefoni, duke i pohuar se nëse kishin ndonjë problem mund të telefononin ose të lajmëronin në numrin pa pagesë 129. Policia ka filluar zyrtarisht hetimet mbi këtë ngjarje, duke u përqendruar në pista të ndryshme ende të pakonfirmuara me ndonjë provë apo dëshmi konkrete. Shërbimet e policisë janë organizuar dhe po mbajnë në mbikëqyrje zonën ku banon familja Gradeci në Tiranë, me qëllim që të identifikojnë personat që mund të kryejnë veprimet e denoncuara në telefonatën që të afërmit e ish-truprojës së Enver Hoxhës, kanë bërë në polici mesnatën e të mërkurës. Burimet nga policia e kryeqytetit thanë se, ende nuk kanë ngritur ndonjë pistë të saktë rreth autorëve të mundshëm të ngjarjes dhe shkaqeve të veprimeve të tyre.

Familja Gradeci: Kemi denoncuar në polici

“Nuk kemi asgjë për të thënë lidhur me ngjarjen”. Kështu është shprehur një grua e moshuar, e cila dje iu përgjigj interesimit të gazetës për të kontaktuar me familjen Gradeci lidhur me denoncimet e tyre në polici për kërcënime. Më vonë, gjatë një telefonate me familjen Gradeci ka pohuar se, “kjo është një çështje e familjes së tyre dhe se ata kishin vepruar sipas të gjitha rregullave. “Ne kemi lajmëruar policinë për këtë ngjarje”, pohoi gruaja. Ajo nuk preferoi të vijojë më tej komunikimin duke pohuar se kjo nuk ishte punë gazetash, duke shtuar: ‘Çfarë ju duhet juve kjo ngjarje. Atë e di policia”. Pas kësaj fjalie të gruas, është dëgjuar zhurma e përplasjes së receptorit në krahun tjetër.

Kush është Sulo Gradeci, truproja i Enver Hoxhës për 30 vjet me radhë

TIRANE - Sulo Gradeci është personazhi i njohur për publikun shqiptar, pasi për vite me radhë ishte ushtaraku që është kujdesur për sistemin e sigurisë së ish-sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha. Gradeci ishte drejtuesi dhe personazhi që kujdesej për organizimin dhe mbarëvajtjen e punës së grupit të shoqërimit, që garantonte sigurinë e ish-udhëheqësit komunist të Shqipërisë gjatë viteve të diktaturës, Enver Hoxha. Sipas të dhënave nga CV-ja e tij, Sulo Gradeci ka lindur në vitin 1922 në Gradec. Më 28 tetor të vitit 1941 ai ka marrë pjesë në demonstratën antifashiste. Më pas, në vitin 1942, Sulo Gradeci ishte efektiv i Çetës së Skraparit dhe më vonë partizan i Brigadës VII. Pas çlirimit të Shqipërisë ka punuar në degën e Punëve të Brendshme në qytetin e Beratit dhe Përmetit, si dhe në organet e Sigurimit të Shtetit. Në vitet 1950 Gradeci është emëruar në Ministrinë e Mbrojtjes, shef dege. Rreth 16 vite më vonë, në vitin 1966, Sulo Gradeci emërohet të shërbente si përgjegjës për jetën e Enver Hoxhës. Për më tepër se 30 vite ai ka qenë personi që është kujdesur për organizimin e afërt të ruajtjes së sigurisë fizike të Enver Hoxhës. Kjo është realizuar përmes aktivizimit të një grupi shoqëruesish që në situata të zakonshme nuk kishte më tepër se shtatë efektiva.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›