E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pedagogu, seks për provimin

Pedagogu i infermierisë në Universitetin e Korçës është prangosur në një nga dhomat e një hoteli, ndërsa përdhunonte studenten e tij. 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Skandali është zbardhur tashmë nga policia e Korçës, e cila bën të ditur se Robert Rado abuzoi e mbajti në presion psikologjik studenten J.S., në këmbim për t’i dhënë asaj provimin. Seksi me dhunë pedagog-studente është regjistruar në kamerat e instaluara më parë në dhomën e hotelit nga ana e policisë. Kjo e fundit, ka bashkëpunuar me 19-vjeçaren, e cila kishte kryer denoncimin pas kërkesave të vazhdueshme të profesorit të saj për të kryer marrëdhënie seksuale. “Provimi i sigurt”, është koduar operacioni i policisë, e cila tashmë disponon në cilësinë e provës, gjithë skemën skandaloze që është realizuar në një nga dhomat e hotelit që studentja kishte “zgjedhur”, për të kryer marrëdhënie seksuale me pedagogun e saj. Në kamera është regjistruar gjithçka. Në fillim është futur në dhomë vajza, e pas saj, pedagogu. “Profesor, u pendova. Ti je i martuar, ke grua dhe fëmijë. Edhe unë një ditë do të krijoj familjen time dhe do të më vijë turp nga kjo që mund të ndodhë sot”. Me këto fjalë i është drejtuar 19-vjeçarja profesorit, i cili për nga mosha ishte babai i saj, duke i kërkuar që të ktheheshin mbrapsht. Por më kot është munduar vajza të prekë sadopak ndërgjegjen e pedagogut për të lënë me kaq këtë histori. 46-vjeçari nuk është tërhequr megjithë lutjet e vajzës që të hiqte dorë nga dëshira e shfrenuar për seks. Në përgjigje të këtyre lutjeve dhe thirrjes për reflektim pedagogu e ka kërcënuar studenten e tij se nëse nuk kryenin marrëdhënie, ai nuk do t’ia jepte kurrë provimin. Më pas, duke parë këmbënguljen dhe pendesën e 19-vjeçares, ai e ka qëlluar me shpulla dhe më pas, forcërisht  e ka detyruar të realizojë qëllimin për të cilin kishin ardhur. Pikërisht në këto momente ka ndërhyrë policia, që po e ndiqte nga kamerat e vëna më parë në dhomë gjithë skemën. Sipas policisë, Rado akuzohet për veprat penale “kryerje të marrëdhënieve seksuale duke shpërdoruar detyrën”, “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit pasiv nga personat që ushtrojnë funksione publike”, vepra këto të parashikuara nga nenet 105, 248 dhe 259 të Kodit Penal. Në fakt policia e Korçës, ditën e arrestimit konfirmoi se pedagogu Rado u prangos pasi i kërkoi studentes 100 euro në këmbim të provimit. Por më pas është zbardhur gjithë skandali po nga policia, që e justifikoi konfirmimin e një dite më parë me faktin e ruajtjes së etikës për personat publikë, siç ishte edhe rasti i profesorit.

Vlorë, pedagogu u përgjua
VLORE - Policia e Vlorës ka mbajtur në përgjim 15 ditë pedagogun e letërsisë në universitetin “Ismail Qemali”. Pas denoncimit nga një studente e tij se ai kishte kërkuar 100 euro për ta kaluar në lëndën që ai jepte gjatë semestrit të dytë të këtij viti akademik, policia u vu në lëvizje. Blutë e kanë koduar operacionin të njëjtë me atë të Korçës, “Provimi i Sigurt” dhe kanë kryer mbrëmjen e së mërkurës arrestimin e 32-vjeçarit Enertin Dheskali. Ai është përgjuar duke folur me studenten, e madje edhe me të tjerë, por policia nuk bën të ditur detaje të bisedave telefonike. Ndërkaq, mësohet se pedagogu Dheskali nuk ka pranuar akuzat e policisë, “Shpërdorim të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv nga personat që ushtrojnë funksione publike”. Policia bëri të ditur se, 32-vjeçari u prangos sepse ka përfituar shuma të ndryshme lekësh nga studentët kundrejt kalimit në provimet e lëndës që ai jepte.                                     q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›