Drejtuesit e Dajtit kundër beratasve
Drejtuesit dhe lojtarët e Dajtit kanë hedhur poshtë të gjitha aludimet që janë bërë nga kryebashkiaku i Beratit, i cili pak ditë më parë akuzoi policinë për dhunën në stadiumin e këtij qyteti. Kamzalinjtë kanë bërë të qartë se dhuna në stadiumin e qytetit të Beratit ka filluar nga lojtarët e Tomorit, për të cilën kanë edhe pamje filmike që vërtetojnë se policia ka ndërhyrë vetëm për të ndalur përplasjet në fushën e lojës. "Lojtarët e Tomorit kanë nisur dhunën në fushën e lojës dhe ne do të kërkojmë tri pikët në tavolinë pas këtyre ngjarjeve. Kemi pamje filmike që vërtetojnë se futbollistët e Tomorit kanë goditur lojtarët tanë. Policia në stadium ka bërë më së miri detyrën për të mbrojtur futbollistët dhe nuk ka përdorur dhunë ndaj tyre", u shprehën drejtuesit e Dajtit, duke dashur të sqarojnë situatën e pakëndshme që u zhvillua gjatë ndeshjes së fundjavës. Për më tepër, drejtuesit e skuadrës kanë bërë të qartë se beratasit kanë harruar të zbatojnë detyrën e tyre si skuadër mikpritëse, ndërsa autobusi i Dajtit është sulmuar në dalje të qytetit ku i janë thyer xhamat, ashtu si edhe makinës së shefit të komisariatit që po i shoqëronte. Dje është bërë edhe "bilanci" i plotë i të dëmtuarve nga ngjarja e fundjavës, ku përveç Julian Malos që ka marrë goditje të rënda, dëmtime kanë marrë edhe Sula, Rënxa, Guri, Koçi dhe Bendo.