E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulm racist ndaj mesfushorit Cana, tifozi i Metzit përfundon në gjykatë

Lorik Cana është bërë objekt i një sulmi racist të tifozerisë së Metzit, në përfundim të ndeshjes që Olimpiku i Marsejës fitoi në fushën e kësaj skuadre me rezultatin 2-1. Tifozët vendas, të cilët edhe më parë janë shquar për sharje raciste ndaj futbollistëve kundërshtarë, kanë ofenduar lojtarët e Marsejës, ndërsa një prej tyre, nuk ka kursyer ofendimet raciste ndaj kapitenit shqiptar. Kjo ngjarje ka pushtuar faqet e shtypit francez, ndërsa tifozi në fjalë është identifikuar dhe më pas është shoqëruar në komisariatin e policisë. Ai është lënë i lirë gjatë ditës së djeshme, por do të paraqitet në gjykatë për të marrë dënimin që i takon sipas legjislaturës franceze.

Fatkeqësisht, futbollistët shqiptarë kanë qenë shpesh objekt sulmesh raciste nga tifozët në kampionatet ku aktivizohen, kryesisht në Greqi dhe Itali. Pas emrave si Murati, Bushi e Tare, radhën për të provuar idiotësinë e tifozëve e ka pasur Lorik Cana, mesfushori dhe njëkohësisht kapiteni i Olimpikut të Marsejës. Pas përfundimit të ndeshjes kundër Metzit në fundjavë, një tifoz e ka ofenduar atë ndërsa po largohej drejt dhomave të zhveshjes. Sharjet kanë qenë me sfond racist dhe një gjë e tillë është e papranueshme në Francë, ku janë ndryshuar legjislacionet pikërisht për të evituar ngjarje të tilla në stadiume. Mediat franceze kanë bërë të ditur se ishte vetë Cana që u ka raportuar autoriteteve të stadiumit për incidentin në fjalë, duke bërë të mundur më pas identifikimin e tifozit racist. Punonjësit e stadiumit kanë ndërhyrë për të bllokuar personin në fjalë, por kanë ndeshur në rezistencën e tij. Ai ka shkëmbyer grushte me personat që po përpiqeshin ta bllokonin, por më pas ka ndërhyrë policia e Metzit që e ka arrestuar atë duke e dërguar në komisariatin e qytetit ku është marrë në pyetje. Fillimisht, tifozi 38-vjeçar ka refuzuar të gjitha akuzat, duke pretenduar se ato nuk kishin sfond racist. Pas qëndrimit për disa orë në komisariat, ai është lënë i lirë, por është caktuar menjëherë data e gjyqit të tij. Më 14 gusht, tifozi do të paraqitet para gjyqit ku do t‘u përgjigjet akuzave për "dhunë me dashje dhe fyerje publike me karakter racist". Fatmirësisht për Canën, Franca mbetet një prej vendeve më shembullore ku nuk tolerohen minimalisht ofendimet raciste, një gjë e cila nuk zbatohet në kampionate të tjera ku aktivizohen shumë futbollistë shqiptarë, duke filluar pikërisht nga "fqinjët" e Greqisë dhe Italisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›