E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtuesit e Grupit të PS-së Ruçi në krye të deputetëve të PS, të martën zyrtarizimi

Autori i Lajmit: Suela Topi
Partia Socialiste pritet të mbledhë ditën e martë Grupit Parlamentar për të zgjedhur drejtuesit e rinj të kësaj strukture. Burime nga selia rozë pohojnë për “Ballkan” se Gramoz Ruçi do të jetë kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së. Ndërkohë që të besuarit e tjerë të kreut të selisë rozë të cilët do të jenë dhe një mbështetje e madhe për Ruçin duke u zgjedhur si nënkryetar Grupi do të jenë, Erjon Braçe i cili në këtë mënyrë fiton të drejtën për tu rizgjedhur në postin e nënkryetarit, por dhe Pandeli Majko. Një post i rëndësishëm pritet ti rezervohet dhe sekretares për Marrëdhëniet me Jashtë, Arta Dade e cila do të zëvendësojë ylli Bufin në postin e nënkryetarit. Deputeti i ri Damjan Gjiknuri pritet të jetë sekretari i Grupit Parlamentar të PS-së.
Kryesuesit e Grupit
Kreu i selisë rozë, krahun e djathtë të tij ka vendosur ta bëjë dhe kryetar të Grupit Parlamentar. Gramoz Ruçi, emri i të cilit shfaqet gjithmonë pas kryetarit Rama për çdo vendim politik të partisë do të jetë drejtuesi i ri i deputetëve socialistë. Edhe pse prej vitesh në këtë parti deputeti socialist duket se ka ditur tu përshtatet shumë mirë ndryshimeve por dhe ideve të reja të kryetarit Rama. Përveç kreut të deputetëve socialistë mësohet se në këtë mbledhje do të miratohen dhe emrat e nënkryetarëve. Të besuarit e Ramës për këto poste duket se janë Erjon Braçe i cili fiton kështu të drejtën për tu rizgjedhur në këtë detyre por dhe ish-kryeministri Pandeli Majko. Megjithatë ekziston dhe një tjetër alternativë e mundshme ëpr këtë post dhe ai deputeti Anmik Dokle. Në momentin e fundit pritet se kush do të jenë dy përzgjedhurit e grupit. Ndërkohë që sekretari i grupit socialist këtë herë do të jetë një emër i ri, ai i Damjan Gjiknurit një nga hartuesit e Kodit Zgjedhor. Por Rama nuk lë pa respektuar dhe balancat gjinore. Në respekt të këtij balancimi por dhe për kontributet e mëdha në selinë rozë numri dy i Kuvendit të Shqipërisë që do të përfaqësojë opozitën pritet ti besohet sekretares për Marrëdhëniet me Jashtë, Arta Dade e cila do bëhet kështu nënkryetarja e tretë e Kuvendit. Dy nënkryetarët e tjerë janë Nasip Naço i LSI-së dhe Ardian Turku i PD-së. Dade merr postin që në legjislaturën e kaluar e ka mbajtur Ylli Bufi. Në bazë të këtyre propozimeve të bëra bie menjëherë në sy mungesa e përfaqësimit me deputetë të njohur ndryshe si pjesë të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe. Kreu i selisë rozë duket se ka dashur të evitojë çdo lloj mundësie për mosbindje në momentet të caktuara duke preferuar kështu që postet drejtuese tua lërë në dorë njerëzve të tij të besuar. Madje mësohet se Rama do të evitojë që Ben Blushi, Marko Bello, Kastriot Islami dhe Andis Harasani të jenë dhe në komisionet parlamentare apo delegacione ndërkombëtare. I vetmi që nuk përjashtohet pritet të jetë Arben Malaj i cili gjithmonë është treguar mjaft i rezervuar në kritikat e tij drejtuar kryesocialistit Rama.

Strukturat drejtuese

Gramoz Ruçi, kryetar i Grupit Parlamentar
Arta Dade, nënkryetare Kuvendi
Erjon Braçe, nënkryetar Grupi
Pandeli Majko, nënkryetar Grupi
Damjan Gjiknuri, sekretar Grupi

Ky lajm është publikuar: 01/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›