E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtuesit e RTVSH-së, nomenklaturë e Komitetit Qendror

Vijon shkrimi për historinë e Televizionit Shqiptar që nga hapat e parë të tij

Skifter Këlliçi

Vijon nga numri i kaluar

Peripecitë e grupi gjerman të xhirimit

Me 13 janar 1981, Drejtoria e Përgjithshme e RTVSH mori një telegram nga Televizioni i Republikës Demokratike Gjermane, ku TVSH-ja ftohej të merrte pjesë në paraqitjen e programeve televizive të vendeve socialiste që organizohej nga 23-29 mars 1981, në Berlin. "Ne mendojmë të mos marrim pjesë, -përfundonte shkresa 118, datë 20.1981" drejtuar nga drejtuesit e RTVSH-së Ministrisë së Punëve të Jashtme. "Jemi dakord me mendimin tuaj që të mos marrim pjesë dhe të mos i përgjigjemi ftesës së TV Gjerman" -ishte përgjigja e zv/ministrit të Punëve të Jashtme, Reiz Malile. "Dosja 102, Fondi i RTVSH, Arkivi i Shtetit, 1981). Po në janar të atij viti, nuk u lejua që një grup xhirimi i një rrjeti televiziv gjermano-perëndimor të vinte në Shqipëri për të xhiruar një dokumentar mbi gratë shqiptare. Por, më së fundi, me aprovimin e Këshillit të Ministrave Nr.130 datë 22.5.1980, erdhi në vendin tonë një grup xhirimi nga Televizioni Austriak për të xhiruar filmin dokumentar me titull "Mbi kulturën ilire në Evropë". "Dosja 71, Fondi i RTVSH, Arkivi i Shtetit, 1980). Duket se gjatë kësaj vizite pati disa përplasje të pakëndshme, sepse në relacionin e dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të RTVSH-së, me datë 31.5.1980, theksohet ndër të tjera se përgjegjësi i grupit regjisori Erih Vogl, ishte një njeri që kishte përshtypje të keqija për vendin tonë. "Udhëheqjen tonë ai e quante staliniste, -thuhej në relacion, -Shqipërinë e konsideronte si një vend të varfër që duhej të futej në Evropë". "Ai ishte partizan i Evropës së Bashkuar. "Ti nuk ke faj, -janë fjalët e Erih Voglit drejtuar shoqëruesit, -se kështu je brumosur. Por më vjen çudi se duke qenë i mprehtë për t'i bërë dogmat pjesë organike të vetes tënde, nuk kupton që ke të bësh me dogma.

Nuhatja e regjisorëve të huaj

Në fund të majit 1981, së bashku me një grup xhirimi, përsëri nga Austria, erdhi në vendin tonë Peter Paul Lenvai, shef i sektorit e Evropës Lindore pranë Televizionit Austriak, për të realizuar një dokumentar me titull "Rruga e luftës së popullit shqiptar për pavarësi deri në epokën e Enver Hoxhës". Ajo që tërhoqi vëmendjen e shoqëruesve shqiptarë ishte se ai "...intersohej për gjëra që i bënin përshtypje dhe që nuk i ndeshte në vendin e vet. Me aparatin e tij fotografonte ndonjë fshatar me karrocë në rrugica me ndërtesa të vogla. Më poshtë theksohet se: "...ishte i prirur për të verifikuar çdo gjë që dëgjonte. Kështu, në një dyqan ushqimor, në ndonjë dyqan të shitjes së bukës, të një këpucar, rrobaqepës, për të parë nëse kishte dyqane private. "Dosje 89, Fondi i RTVSH, Arkivi i Shtetit,1981). Mirëpo kjo ndodhte kur siç thekson në librin e tij "Dera e pasme e shtypit" publicisti i njohur Marash Hajati, që në ato vite ishte drejtor i përgjithshëm i RTVSH,"çdo grup xhirimi që pranohej në Shqipëri dhe ata ishin shumë të paktë, jo vetëm duhej të demonstronte konsiderata të larta për vendin tonë, por në një mënyrë, a tjetër, duhej të prononcohej se do të pasqyronte vetëm anët pozitive të jetës dhe zhvillimit socialist këtu në brigjet e Adriatikut. "faqe 145).
Dhe me sa duket, Lendvai me grupin e tij premtuan në fillim. Mirëpo nuk ndodhi kështu më pas, sepse operatorët austriakë, të mësuar që të xhironin atë që u bënte përshtypje, e përqëndruan vëmendjen tek ato dukuri që ishin krejt zakonshme në Shqipërin e varfër të asaj kohe.. "Operatorët...ngriheshin që në orët e para të mëngjesit duke lënë pas dhomat e ngrohta të hotel "Dajtit" e bridhnin me kamera pas koshave të fshatarëve në Pazarin e Ri, që përpiqeshin të tregtonin ca fletë qepësh apo sallatë, të ndjekur nga policia." "Marash Hajati, po aty, faqe 146). Më pas, autori përmend në librin e tij se në një bisede miqësore iu propozua Lenvait: "...të hiqte dorë nga këto lloj xhirimesh. Në darkë na jepeshin premtime, natën vazhdonin përsëri filmimet. Tamam si në historinë e Kalasë së Shkodrës. Ditën ndërto, natën prish."po aty). Epilogu dramatiko-komik i këtij problemi u mbyll në një konferencë, ku Lenvai deklaroi se: "..nuk mund të realizoj filma paradeë ata nuk i beson askush. Në filmin tim unë do të flas mirë për vendin tuaj, por do t'i përmbahem edhe realitetit" "Marash Hajati, po aty). Dhe duhet thënë se ky dokumentar u shfaq jo vetëm në Austri, por edhe në shumë vende të Evropës. Nga kupola e kuqe, u quajt dokumentar tendencioz, ku duhej të dilte përgjegjësia e atyre që e kishin lejuar këtë Ledvain të realizonte një dokumentar të tillë. "Ambasada, ministria e Jashtme, lidhjet e tjera, këto të tëra u morën në mbrojtje e me zërin e ngritur i’u bë dalje vetëm RTVSH-së, kuptohej drejtuesve të tij" -nënvizon Marash Hajati në librin e tij "Dera e pasme e shtypit"."Po aty). Prirjet keqdashëse të Lendvait në këtë dokumentar dolën edhe më në pah, kur shoqëruesit "zbulonin" në raportin e tyre se ai ishte hungarez, me nënshtetësi austriake, korrespondent i gazetave "Financial Times" "Londër), "Der Manat" "Berlin) që vizitonte rregullisht vendet e Ballkanit dhe se kishte shkruar edhe libra për Greqinë, Egjiptin, thua se kësisoj ishte identifikuar... një element subversiv. "Dosja 89, Fondi i RTVSH, Arkivi i Shtetit,1981). Ja, të tilla çudira ndodhnin në kohën e diktaturës, që e kishte izoluar Shqipërinë, kishte izoluar dhe Televizionin Shqiptar.

TVSH, neë darën e rreptë të kupolës së kuqe...

Me këtë rast, nuk dua të përjashtoj Radion e cila edhe ajo, ishte nën këtë shtrëngim, si tërë shtypi, arti kultura dhe vetë jeta jonë. Por çështja është se Televizioni Shqiptar pas vitit 1971 kur nisi të shihej në tërë vendin, u vu në shënjestër jo vetëm të Byrosë Politike, por të vetë diktatorit Enver Hoxha. Siç dihet, ishte ai që sulmoi Festivalin e 11-të të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar, i cili e cilësoi drejtorin e tij Todi Lubonja, deviator të djathtë. Ishte ai që miratoi zëvendësimin e Thanas Nanos nga kjo detyrë si dogmatik, me nivel të kufizuar kulturor dhe ishte ai që pas një viti e riktheu vetë në këtë detyrë duke u shprehur tekstualisht: "Në RTVSH të kthehet Thanasi. Në fushën profesionale mangësi mund të kemi, ama proçka si ato të Todit nuk do të bëjë". "Marash Hajati, "Dera e pasme e shtypit", faqe 153.) Pra, për Enver Hoxhën nuk kishte më rëndësi se Televizioni Shqiptar nuk do të kishte ngritje cilësore, përderisa nuk kishte cilësi të tilla vetë drejtuesi kryesor. Që nga ajo kohë, diktatori u mor me zell të madh me RTVSH-në.
Për këtë qëllim mjafton të përmendim vetëm dy shembuj: Ishte ai që mori në telefon në mbrëmjen e 24 dhjetorit të vitit 1974 një teknik të TV-së, meqë nuk po gjente as edhe një drejtues në zyra, të cilit iu zbraz tërë mllef, sepse ishte lënë i lirë të shihej RAI, në kohën që Papa po jepte meshën tradicionale me rastin e Krishtlindjeve, telefonim që shkaktoi panik në TV dhe paralajmërim të ashpër për Thanas Nanon, sado që diktatori e kishte për zemër.
Ishte vetë Enver Hoxha që po atë vit, në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë, mbajtur në qershor të vitit 1975, "Për përmirësimin e emisioneve të Televizionit" porosiste: "Zgjedhja e filmave që do të blihen, duhet ti nënshtrohet një diskutimi të rreptë ideologjik nga ana e organizatës bazë të partisë në Televizion".

Drejtuesit e RTVSH-së, nomenklaturë e K.Q

Që drejtuesit e RTVSH-së ishin nomenklature e Sekretariatit të Komitetit Qendror, kjo dihej. Pas daljes, më së fundi në pension të Thanas Nanos, në janar të viti 1977, që ishte shndërruar në këtë institucion në një despot të padurueshëm, pritej që drejtor i përgjithshëm normalisht të bëhej Marash Hajati, aq më tepër që kishte më shumë se dy vjet që po drejtonte Televizionin Shqiptar. Dhe duhet thënë në ato kushte me sukses. Veç kësaj, ai ishte i pari drejtues i këtij institucioni pas çlirimit që tregoi se ishte krijues i talentuar, po të marrim parasysh emisionet televizive që kishte përgatitur, "me 1979 do të fitonte edhe çmimin e Republikës me dokumentarin "Termeti tundi malet, por jo popullin". Megjithatë, drejtor i RTVSH-së, me porosinë e Ramiz Alisë, u caktua Cajup Rusmali, i cili kurrë nuk kishte qenë gazetar e më tepër, nuk donte të punonte në këtë detyrë. Dhe mbeti drejtor i përgjithshëm deri më 12 dhjetor të vitit 1982, kur u largua, përsëri me dëshirën e tij. Vetëm në këtë rast, drejtimi i këtij institucioni iu besua Marash Hajatit. Kupola e kuqe deri atëherë kishte parapëlqyer që atje të punonin njerëz sa më të besuar.
I tillë ishte dhe Agron Çobani i cili u emërua me 1980 të drejtonte TVSH-në si njeri i besuar i vetë Enver Hoxhës, të cilin e kishte ndjekur me mikrofon gjatë vizitave nëpër Shqipëri, nisur edhe ngaqë një i afërmi i tij ishte nga drejtuesit kryesorë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Dhe duhet thënë se ai nuk kishte ngritjen e duhur kulturore, siç u theksua pastaj kur u shkarkua nga kjo detyrë dhe për më tepër, nuk dinte sadopak një gjuhë të huaj. Por kjo nuk kishte rëndësi për Enver Hoxhën.

Ndërhyrje të emisarëve të Enverit

Por në punët e Radio-Televizonit Shqiptar, veç Ramiz Alisë, që vinte personalisht jo rrallë në studiot TV-së për të kontrolluar telekronikat kushtuar Enver Hoxhës, kur ua kishte dëshira ndërhynin edhe shumë emisarë të tjerë të kupolës së kuqe. Kur më 22 dhe 29 tetor të vitit 1977 u shfaq në TV drama "Lumi i vdekur", shkruar nga Kudret Velca sipas motiveve të romanit të njohur me të njëjtin titull të shkrimtarit Jakov Xoxa dhe madje i ishte shitur edhe RTV të Prishtinës, Manush Myftiu anëtar i Byrosë Politike dhe zv. kryetar i Këshillit të Ministrave, dha urdhër që kjo pjesë për "gabime ideore", të mos shfaqej më as në Teatrin Popullor, as në TVSH. "Dosja 25, Fondi i Radio-Televizionit Shqiptar, Arkivi i Shtetit, 1977).
Marash Hajati në librin e tij "Dera e pasme e shtypit" përmend plot raste të tjera të ndërhyrjeve të tilla të emisarëve të ndryshëm të kupolës së kuqe. Kur po shfaqej në ekranin e vogël, drama "Shtrëngatë në mal", luajtur nga trupa e Teatrit të Gjirokastrës, sekretari për problemet e propagandës në Komitetin e Partisë të Tiranës, i telefonoi atij dhe i tha: "Ç'janë këto, jo gjeologjia, jo të huajt kanë dhënë ndihmesë, jo sekrete. E keni kontrolluar me kujdes dramën apo jo?...Ne këtu po flasim si mund të bëhet ndonjë gjë për ta zëvendësuar" . "Dera e pasme", faqe 105). Deri këtu arrinte puna!...
Një nga ndihmësit e Ramiz Alisë në Komitetin Qendror të Partisë, sidomos për problemet e jashtme, shkonte edhe larg: Ai kërkonte që gjatë konferencave ku merrte pjesë, të ishte në qendër të vëmendjes. Dhe madje lëshonte ultimatumin: "I thoni atij drejtorit të Televizionit të mos bëjë shaka kur është fjala për daljen time në TV, se ndryshe i vë stërkëmbthin e s'do të dije nga ku do të ndalet."Po aty, faqe 145).
Edhe më tutje: Kur një folëse e njohur nuk u pëlqye nga një prej anëtarëve të Byrosë Politike, drejtorit të TV-së Marash Hajatit, iu komunikua: "Të mos dalë më në ekran. Çështje politike nuk ka. Menjanimi të bëhet pa rënë në sy. "Po aty).
Petrit Leka ishte specialist i Instititutit Meteorologjik, që paraqiste kohën në mënyrë shumë profesionale në Televizion. Mirëpo një ditë na i hipën në kokë Mehmet Shehut që ai të hiqej nga ekrani se i ngjante ... një kolegut të tij të Televizionit Italian. Punoja atëhere, "vjeshtë e vitit 1971) në TVSH dhe më kujtohet fare mirë ajo ditë, kur Petritit i dhanë këtë njoftim, sa qesharak, aq edhe absurd ... Ai nuk u pa për disa netë në ekran që të jepte parashikimin e kohës, derisa me sa duket, kryeministrit iu kthye mendja. "Tepër ngacmues, - kujton Marash Hajati, - ishin transmetimet e drejtpërdrejta për sportin. Kush nuk ndërhynte, anëtarë të Byrosë Politike, të qeverisë ... "Cili është ky që transmeton? E dëgjoni çfarë flet? Ku i gjeni xhanëm!" ""Dera e pasme...",faqe 90). Këtë përvojë të hidhur e kam provuar edhe unë, në kurriz ndaj dhe Marash Hajati në librin e tij nënvizon: "Me horizontitn njohës ... shtrihej gjerë në temën e transmetimit e të analizave. Mirëpo dikujt nga lart kjo, herë i pëlqente e herë jo. Aq herë edhe komentatori shkarkohej e ngarkohej me atë detyrë." "Po aty, faqe 91).
Kështu ka ndodhur në Televizionin Shqiptar.
Sot këto ngjarje tingëllojnë tragji-komike. Por jo atëherë, kur çdo mëngjes nga zyrat e drejtuesve pritej ndonjë telefonatë nga lart. Madje, siç e pamë, edhe nga vetë Enver Hoxha. Sidoqoftë, edhe pas rënies së diktaturës komuniste më 1990, Televizioni Shqiptar,ndonëse u shpall televizion publik, është bërë “pre” e synimeve të partive politike të partive që kanë ardhur në fuqi duke zëvendësuar njëra-tjetrën.
Kohë të vështira që besoj nuk do të përsëriten në historinë e këtij institucioni,babai i tërë televizioneve që shohim sot, i cili më 30 prill feston 50-vjetorin e krijimit të tij.

Fund

28 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›