E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia arrin limitin e krizës, para vetëm për 22 ditë



Blerina Olldashi

Gjendja në Greqi po rëndohet gjithnjë e më tepër për shkak të krizës së rëndë ekonomike. Ministri i Financave, Jorgo Papaconstantinou paralajmëron se paratë që disponon vendi, mjaftojnë vetëm për 22 ditë dhe për këtë arsye duhet patjetër të pranohet ndihma e ofruar nga FMN-ja dhe BE-ja. “Kemi para vetëm për 22 ditë”. Kështu ka deklaruar Papaconstantinou gjatë një fjalimi në Parlament. “Ekziston një datë e rëndësishme, 19 maji, kur duhet të shlyejmë miliarda euro borxh.e Deri atëherë kemi lekë, por më pas nuk e dimë”, ka pohuar Papaconstantinou. Ministri u ka bërë thirrje qytetarëve të revoltuar të mos kenë frikë nga aktivizimi i ndihmës së ofruar nga mekanizmat ndërkombëtare. Edhe kryeministri Jorgos Papandreu me tone dramatike kërkoi mobilizim mbarëkombëtar për zbatimin e programit të stabilizimit për shpëtimin e vendit nga kriza financiare. Sindikatat në Greqi janë në këmbë dhe opinioni i vendit sipas një anketimi të fundit në masën 60,9 për qind e konsideron gabim aktivizimin e mekanizmit të ndihmës financiare. Kamatat e kreditimit shënuan dje rekord të ri dhe bursa e Athinës rënie të madhe që në mesditë arriti në 5 për qind. Në një klimë të tillë kryeministri grek në tone dramatike kërkoi “mobilizim mbarëkombëtar” dhe duke iu drejtuar deputetëve të partisë së tij kërkoi mbështetjen e “përpjekjes titanike”, që po bëhet për shpëtimin e vendit nga falimentimi.
Merkel vë kushte
NË momentin që Greqia paraljamëron limitin e krizës, kancelarja gjermane Angela Merkel ka vënë kusht që shteti helen duhet të tregojë se ka aftësi të rikthehet në rrugën e duhur. Bëhet fjalë për një ndihmë të kushtëzuar brenda procedurave parlamentare, bën të ditur Merkel. Ndihma do të jepet vetëm nëse Greqia do të tregohet e gatshme të ndërmarrë një kurs të rreptë masash kursimi. “Tani është e rëndësishme, që Greqia të bëjë të qartë në mënyrë të besueshme, që do të ndjekë udhën e një zhvillimi të qëndrueshëm, për të rifituar fuqinë e saj ekonomike dhe financiare. Kjo nuk është puna e një viti, Fondi Monetar Ndërkombëtar negocion programe që i kapërcejnë ato tre vjeçare”.
Fillimisht Berlini zyrtar donte të priste rezultatin e bisedimeve mes FMN-së dhe qeverisë greke. Këto me sa duket do të zgjasin disa ditë, sipas vlerësimit të qeverisë gjermane, deri në fundjavën tjetër.
KE-ja paralajmëron falimentim
Komisioni Europian ka paralajmëruar edhe një herë për nevojën e ndihmave të shpejta financiare për Greqinë e cenuar nga falimentimi. Zëvendëspresidentja e BE-së dhe komisarja për Drejtësi, Viviane Reding paralajmëroi nga mundësia e efekteve zinxhir me pasoja katastrofale ekonomike për tërë Europën, në qoftë se nuk ndihmohet qeveria në Athinë. Kjo vlen në radhë të parë për Gjermaninë, tha ajo, bankat e së cilës janë garantët kryesorë. Ministri grek i Financave.

Ish-diktatori i Panamasë, Noriega ekstradohet në Paris

Ish-diktatori i Panamasë, Manuel Noriega mbërriti në Paris pas ekstradimit nga Shtetet e Bashkuara. Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton nënshkroi urdhërin për dërgimin e Noriegës në Francë, ku ai kërkohet për pastrim parash. Avokatët mbrojtës të Noriegës thonë se kishin mësuar për ekstradimin nga gazetarët dhe jo nga zyrtarët amerikanë. Ish-diktatori iu dorëzua trupave amerikane në janar 1990, menjëherë pas pushtimit të Panamasë nga Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1992, ai u shpall fajtor për trafik droge dhe akuza të tjera. Noriega mbeti në gjendje arresti megjithëse e kishte kryer dënimin me burg në vitin 2007.

Norvegji
Arrihet me Rusinë marrëveshja për kufirin në Arktik

Liderët e Norvegjisë dhe të Rusisë kanë arritur një marrëveshje paraprake për hapësirën e kontestuar të kufirit në Detin Barenc. Presidenti rus, Dmitri Medvedev, tha se të dy vendet janë pajtuar për “ta mbyllur çështjen” e shënimit të vijës kufitare dhe se po bëhen përgatitjet për nënshkrim të dokumenteve finale. “Kjo ishte një çështje, të jemi të sinqertë, që i ka ndërlikuar marrëdhëniet tona. Ne u pajtuam për rregullimin e kësaj çështjeje me qëllim që ajo të mbyllet”, tha Dmitri Medvedev. Për dekada, Norvegjia dhe Rusia, kanë dështuar të pajtohen për kufirin detar në Barenc, që besohet se është i pasur me burime të mëdha të naftës dhe të gazit.

Belgjikë
Leterme dështon me koalicionin e tij qeverisës

Në Belgjikë koalicioni qeverisës ka dështuar. Mbreti Albert II tani pranoi edhe dorëheqjen e kryeministrit Iv Laterme. Por qeveria do të vazhdojë tani për tani të udhëheqë vendin, thuhet nga pallati mbretëror. Në fillim të qershorit do të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Shkak i përçarjes së koalicionit është mosmarrëveshja për gjuhën mes valonëve frengjishtfolës dhe flamandëve që flasin gjuhën holandeze. Mbreti Albert II e kishte refuzuar më parë dorëheqjen e kryeministrit me argumentin se kriza në vend mund të dëmtojë rëndë rolin e Belgjikës në BE. Vendi më 1 korrik merr presidencën e radhës në BE.

28 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›