E Diel, 1 Nëntor 2026

Legjenda “Jeta është ëndërr”, premierë në skenën shqiptare



Izaura Ndoj

Artisti i mirënjohur shqiptar, David Tukiçi, prezanton sot përpara publikut shqiptar krijimin e tij të parë operistik “La vitta è sogno” (Jeta është ëndërr). Së bashku me vëllain e tij, Genc Tukiçi ai ka qenë i pranishëm në skenën tonë, por kësaj here ai vjen me një krijim plotësisht të vetin, për të cilin shprehet se ka 3 vjet që ka punuar për ta sjellë para publikut të tij. Konkretisht bëhet fjalë për një vepër lirike që ai e ka kompozuar mbi dramën e Pedro Calderon de la Baca, dramaturg spanjoll. Ndërkohë që, me këtë rast paraditen e djeshme është mbajtur edhe një konferencë për shtyp, ku kanë qenë të pranishëm para mediave vëllezërit Tukiçi, drejtori i TKOB, Zhani Ciko si dhe artistët pjesëmarrës të operës. Por me pjesëmarrjen dhe me fjalën e tij nderoi edhe ambasadori i Spanjës Montabio. Ky i fundit është shprehur se “Çdo vit kjo pjesë ka prekur skenat mbarë botërore, këtë herë vepra “Jeta është ëndërr” zbret për herë të parë në skenën shqiptare. Në këtë vepër janë rizgjuar ide të tilla si; Çfarë është jeta? Kuptimi që ajo ka dhe çfarë duam të bëjmë ne me të. Unë besoj se kjo vepër nuk mund të kishte një ëndrre më të mirë sesa të kthehej në opera”. Më tej ai theksoi se, “Kjo vepër është një lidhje e madhe mes Shqipërisë dhe Spanjës sepse mbi të gjitha është një lidhje shpirtërore. Dëshiroj që kjo ëndërr e dyfishtë e cila fillon sot në Tiranë të zgjasë edhe 275 vjet të tjera në mënyrë që të shtrihet në të gjithë botën”. "Për këtë vepër i kërkova libretistit italian Giacomo Carbone që ta kthejë në vargje. Është një operë legjendë me tri akte, për të cilën punova tre vjet”, - shprehet Tukiqi. Në skenën shqiptare të Teatrit të Operës dhe Baletit opera do të ketë premierën e saj në datat 29, 30 prill dhe më pas në datat 1 dhe 2 maj 2010-s. “Jeta është ëndërr” është shkruar nga Pedro Calderon De la Barca në vitet 1500, një legjendë ku përthyhen sakrifica njerëzore për liri, mesazhe religjoze ndaj dëmit që vjen prej sjelljesh të pakontrolluara, dhe shpërdorimit të lirisë. Kompozitori David Tukiqi sjell në gjininë e operës, veprën "Jeta është ëndërr", e cila vjen e muzikuar për herë të parë nga Tukiqi në skenën shqiptare. Koreografia nga Agron Aliaj, në interpretimin e trupës së baletit të TKOB-së dhe skenografia është realizuar nga Genc Shkodrani. Si legjendë me tre akte dhe një nga veprat më të publikuara si dramë në vendet e Europës Lindore, kjo premierë është e ndërtuar si opera dhe balet dhe do të artikulojë në skenë mëdyshjen mes fatit të parashkruar nga vullneti hyjnor dhe lirisë së zgjedhjes për jetën, me qëllimin sublim për të ndryshuar rrjedhën negative të fakteve, pasi në fund të fundit është dashuria ajo që triumfon. "Jeta është ëndërr" vjen si premierë nga artistët e Teatrit të Operës në kuadër të aktiviteteve të javës së letërsisë spanjolle çelur në Tiranë nga Ambasada Spanjolle. David Tukiqi ka studiuar në Akademinë e Arteve piano dhe kompozicion. Në vitin 1992 u largua nga Shqipëria për në Itali ku studioi 2 vjet kompozicion. Vazhdoi studimet në Paris, në Akademinë "École Normale du Paris" ku u diplomua për kompozicion dhe dirigjim. Jeton në Catanzaro të Italisë, por sipas kompozitorit "Asnjëherë një artist nuk është vetëm. Unë jetoj me tingujt, më shoqërojnë gjatë gjithë kohës edhe kur fle". Është një operë legjendë me tri akte, për të cilën kam punuar tre vjet”- është shprehur Tukiçi. E ndërkohë që në datat e sipërpërmendura ai e sjell të realizuar në skenën shqiptare së bashku me të vëllanë, Genc Tukiçi, si një bashkëpunim me disa nga solistët më të mirë të Teatrit të Operas dhe Baletit, ku ky i fundit si një prej institucioneve më të rëndësishme artistike e kulturore në vend ka sjellë për publikun e kryeqytetit e më gjerë koncerte e premiera të rëndësishme. Në këtë mënyrë janë ngjitur në skenën tonë artistë të njohur shqiptarë e të huaj, përfshi këtu këngëtarë, balerinë, kompozitorë, regjisorë e dirigjentë.

28 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›