“Ne do t’i përmbahemi modelit tonë, investime si dhe rritje rrogash e pensionesh”

Mbledhja e grupit parlamentar të PD-së - kryeministri Berisha flet për rritje ekonomike si dhe reduktim të borxhit publik
Rritja ekonomike dhe reduktim i borxhit publik, ishin dy ndër çështjet kryesore në të cilat u ndal kreu i mazhorancës, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij përpara ligjvënësve demokratë. Kështu, në mbledhjen e përjavshme të grupit kuvendor demokrat, Berisha rikujtoi dhe njëherë premtimin e qeverisë së tij për realizimin e një Shqipërie me infrastrukturë moderne. “Jam i bindur se për zgjedhësit tuaj, kudo që ata ndodhen, në Theth, në Valbonë, në Mokër, në Leskovik, Delvinë e gjetiu, rëndësi më kapitale kanë për ta avancimi, ndërtimi i infrastrukturës moderne që ata meritojnë, ndërtimi i rrugëve, shkollave, kanalizimeve, ujësjellësve, kanaleve vaditëse, qendrave shëndetësore, akseve të mëdha rrugore, e me radhë. Ndaj dhe unë kam zgjedhur t’ju informoj ju për krye-temën e programit tonë. ‘Shqipëria me infrastrukturë moderne’ është premtimi ynë, beteja jonë. Kam shumë kënaqësi që vij këtu pas inaugurimit të fillimit të punimeve në autostradën Tiranë-Elbasan, sepse më parë kishim inauguruar tunelin, autostradë e cila shkurton me 31 km distancën mes këtyre dy qyteteve. Faktikisht, kjo autostradë e bën Elbasanin qytetin e madh më të afërt me Tiranën, autostradë në të cilën do të mund të ecet me 100-120 km në orë, autostradë e cila ka impaktin më të jashtëzakonshëm në territorin e Shqipërisë në të gjitha aspektet. Ajo shkurton distancat jo vetëm Tiranë-Elbasan, por shkurton me 50 minuta distancën Korçë-Tiranë, Gramsh-Tiranë, Librazhd-Tiranë, Pogradec-Tiranë, Kolonjë-Tiranë, shkurton me mbi 50 minuta distancën Shkup-Tiranë, Strugë-Tiranë, Tetovë-Tiranë. Faktikisht, impakti i kësaj autostrade është i jashtëzakonshëm, është segment kryesor i Korridorit 8, është segment kryesor i Boshtit të Jugut, i cili është në ndërtim e sipër. Kam kënaqësinë t’ju pohoj se shumë shpejt do të vazhdohet me ndërtimin në gjithë trajektoren Qukës-Qafë Plloç. E vërteta është që me kompletimin e kësaj autostrade dhe rrugës së Arbrit, tunelin që do të inaugurohet në muajt që vijnë, pasi rruga po vazhdon, Shqipëria në rrafshin infrastrukturor rezulton një vend krejt tjetër”, u shpreh Berisha. Në funksion të një Shqipërie të zhvilluar, tha kryeministri, do të rindërtohen 230 shkolla, do të punohet në 290 rrugë, kjo pasi gjatë gjithë këtij viti infrastruktura do të jetë prioritet. Por nga ana tjetër, përveç listimit të projekteve të realizuara dhe atyre në vazhdim, kreu i qeverisë sqaroi dhe lidhur me kostot e këtyre projekteve, si dhe qëndrimin e ekzekutivit përballë një prioriteti të tillë siç është investimi në infrastrukturë. “Dua gjithashtu t’ju informoj se, natyrisht kjo është vepra kryesore, por së paku 1300 km rrugë janë në ndërtim e sipër në akse kombëtare, në rrugë dytësore, rurale, në rrugët e qyteteve, etj. Pra, më lejoni t’ju jap vetëm një shifër; Fondi total i ofruar për procedurat e realizuara gjatë vitit 2011 ishte 51 miliardë lekë, ndërkohë që ky fond ka qenë 28.7 miliardë në vitin 2010. Unë i jap këto shifra pasi ato janë shndërruar të gjitha në vepra që ndryshojnë jetën e qytetarëve shqiptarë. Së dyti, në rast se në vitin 2010, nga fondet e prokuruar janë kursyer 3.2 miliardë lekë, në vitin 2011, janë kursyer 12.6 miliardë lekë, pra në rast se në 2010 u kursyen 10 për qind e fondit, në vitin 2011 u kursye 21 për qind e fondit. Nuk ka lokalitet, qoshe dhe komunë në të cilën nuk do ndërtohet dhe nuk do të rindërtohet. Kjo pranverë shënon betejën totale për finalizimin e infrastrukturës së re të Shqipërisë. Vetëm në shkolla të mesme dhe të cikleve të tjera janë parashikuar ndërtimi apo rindërtimi i 230 shkollave, janë parashikuar rreth 290 rrugë, në të katër anët e vendit. Ju keni marrë pjesë aktive në përcaktimin e përparësive në këtë aspekt. Ky është viti në të cilën infrastrukturat dytësore dhe rurale do të lëshojnë shtat me shpejtësi të madhe. Përqendrim të madh ka në të gjitha zonat, por po bëhen projekte për përballjen, në të ardhmen, me 3 zona që janë më të skajuara. Njëra është zona midis Kukësit, Mirditës dhe Peshkopisë, zonë e cila i përket kryesisht Peshkopisë, por që po shqyrtohen të gjitha modalitetet, duke pasur parasysh dhe digën e Skavicës. Zona tjetër që po punohet me intensitet është zona Peshkopi-Librazhd, aksi kryesor i të cilës po shkon drejt përfundimit dhe këtë vit, do të nisë asfaltimi i tij në të gjithë gjatësinë. Natyrisht ka dhe rrugë prerëse të cilat po planifikohen. Zona e tretë që kërkon një përballje është zona midis Gramshit, Skraparit, Përmetit dhe Korçë. Edhe ai është një pellg që e ka jetik urbanizimin, pellg me vlera të jashtëzakonshme turistike. Pra, ne po ecim drejt një finishi. Ajo ç’ka mund t’u them me përgjegjësi të plotë është se ky projekt tani po shkon me vendosmëri drejt përfundimit, maksimumi deri në gjysmën e parë të vitit të dytë të mandatit që vjen. Ne po hedhim të gjitha themelet e bazës përfundimtare. Janë në total 600 projekte, që të gjithë të rinj, në funksion të ndryshimit të jetës së qytetarëve, ujësjellës, kanalizime, rrugë, shkolla, qendra shëndetësore, kullim, vaditje. Nuk janë përfshirë këtu mijëra projekte ullishte, arrorë apo dru të tjerë frutorë, nuk janë përfshirë qindra e qindra kilometra rrugë e autostrada që po ndërtohen në të gjitha vendin. Bëhen fjalë për rrugë jo kombëtare, për rrugë të qytetarëve, rrugë që preken nga fshati, nga qytetet apo lagjet ku jeton”, tha kryeministri. Ndërsa shtoi se nga këto projekte parashikohet të gjenerohen 20 mijë vende pune dhe t’i japin një nxitje të fuqishme rritjes ekonomike të vendi, Berisha garantoi mbajtjen nën kontroll të borxhit publik. “Paraardhësit tanë merrnin borxh për rrogat, për shpenzime operative, etj. As edhe një qindarkë nuk merret borxh për rrogat. Ju e shihni vet zotërinj deputetë, duke realizuar 51 miliardë investime në vitin 2011, borxhi jo vetëm që nuk është rritur, por është ulur. Kjo sepse janë ulur shpenzime të tjera. Nuk nuk mund të ulen investimet, pasi ato janë vende pune, zhvillim i vendit, energji tregu”. Në vijim të këtij qëndrimi, Kryeministri Berisha premtoi sërish rritje të pagave dhe pensioneve. “Ne do t’i përmbahemi modelit tonë, investime, rritje rrogash, pensionesh. Prapë më vijnë në vëmendje zëra që të mos rriten rrogat, pensionet. Jo, ato do të rriten. Nuk mundet që ne të mos bëjmë rritjen e nevojshme të tyre, tha më tej kryeministri Berisha, duke rikujtuar se, ky vit është viti i projekteve më të shumta në historinë e vendit, projekte në të cilat Shqipëria, në 100 vjetorin e saj i meriton plotësisht”.
...