Drejtuesit e furgonave kërkojnë shfuqizimin e urdhrit të Poçit

11/03/2005 VLORË - Që prej ditës së djeshme, 70 shoferë të taksive furgonë të linjës Vlorë-Tiranë dhe kthim, kanë filluar një grevë pa afat, me qëllim plotësimin e kërkesave të tyre. Shkak për grevën e filluar ka qenë urdhri i Ministrisë të Transportit, ku, sipas urdhrit, furgonat taksi, që vijnë nga Vlora në Tiranë me pasagjerë në kthim për në Vlorë të mos marrin pasagjerë, por të kthehen bosh. Taksistët kërkojnë që ky urdhër të anulohet dhe t’u jepet e drejta të marrin pasagjerë dhe në kthim, nga Tirana për në Vlorë ose qytete të tjera të Shqipërisë gjatë kthimit për në Vlorë. Taksistët e furgonave të Vlorës kërkojnë që të anulohet urdhri, i cili i detyron taksistët që biletave t’u vënë dyfishin e çmimit të autobusëve, sepse, sipas tyre, me dyfishin e çmimit të autobusëve me furgona nuk udhëton më asnjë person, sepse çmimi vete 8 mijë lekë të vjetra Vlorë-Tiranë dhe në kthim. Një kërkesë tjetër e taksistëve është dhe reduktimi i numrit të taksive dhe të hiqen targat e bardha në qarkullim si taksi. Sipas organizatorëve të grevës, për këtë qëllim sot është parashikuar një takim i përfaqësuesve të grevës në shkallë jugu, të Gëzim Kalasë me përfaqësues të qeverisë, në qytetin e Lushnjës. Nëse nuk do të arrihet një marrëveshje e kënaqshme, atëherë greva do të vazhdojë pa afat, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.