E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestohet, vrau 7 vjet më parë për gjakmarrje

11/03/2005  Viktima i kishte vrarë babanë në ‘85

SHKODËR – Lekë Rrackadolli, 42 vjeç, banues i qytetit të Shkodrës deri më dje ka jetuar i lirë, pasi në asnjë dosje nuk ishte i shënuar emri i tij si i dyshuar apo i akuzuar për vrasjen e një bashkëqytetarit të tij rreth 7 vjet më parë. Dje fati i tij ka ndryshuar rrjedhë. Uniformat blu të komisariatit të Shkodrës i kanë shtrënguar prangat në duar, ndërsa i kanë lexuar akuzën për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje. Shtetasi Rrackadolli akuzohet se më 3 gusht të vitit 1998, në qytetin e Shkodrës, ka kryer vrasjen e shtetasit Shtjefën Lamthi. Nga sektori i luftës kundër krimeve të hapura në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër, bëhet e ditur se bashkëpunimi me Prokurorinë e rrethit Shkodër bëri të mundur zbulimin dhe dokumentimin e kësaj ngjarjeje të vjetër. Hetimet e kryera dhe deklarimet e marra si dhe provat e grumbulluara, u arrit që të identifikohet dhe të ndalohet autori i kësaj vrasjeje. Ngjarja ka qenë pezulluar për moszbulimin e autorit dhe në saj të provave të grumbulluara nga sektori i policisë kriminale u bë i mundur rifillimi i hetimeve nga ana e Prokurorisë së rrethit Shkodër. Për këtë ngjarje është bërë i gjithë dokumentimi ligjor dhe ndaj shtetasit Lekë Rrackadolli është marrë masa e ndalimit për veprat penale të vrasjes me paramendim dhe armëmbajtjes pa leje. Prokuroria e rrethit Shkodër ka marrë materialet në dorëzim për vazhdimin e hetimeve të mëtejshme. Burimet nga policia bëjnë të ditur se Rrackadolli e ka vrarë Lamthin për motive gjakmarrjeje, pasi, sipas informacioneve që kanë, viktima në vitin 1985 ka vrarë babanë e Rrackadollit për një rryp toke.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›