E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shembet rruga 20 mijë banorë izolohen

11/03/2005  Dy komuna të Beratit dhe Skraparit nuk komunikojnë me qytetet

BERAT- Dëmtimi i rrugëve nacionale dhe atyre rurale nga rrëshqitjet e dherave, kanë izoluar krejtësisht rreth 20 mijë banorë në fshatrat e Beratit. Reshjet e ditëve të fundit kanë bërë që erozioni të shkatërroj dhe të bëjë pothuajse të pakalueshme disa segmente rrugore, me një gjatësi rreth 18 km rrugë. Zona e Lumasit me rreth 15 mijë banorë dhe fshati Buzuq, janë dy zonat që nuk kanë asnjë mundësi udhëtimi drejt qytetit dhe fshatrave rreth tyre. Sikur të mos mjaftonte mungesa e fondeve dhe makinerive për rehabilitimin e segmenteve rrugore të dëmtuara, banorët e fshatrave të bllokuar shprehin shqetësimin se nuk kanë as mundësi për t'u kuruar, apo të kryejnë vizitat mjekësore në spitalin e qytetit. Kur janë konstatuar raste emergjente, banorët janë detyruar të transportojnë të sëmurët në krahë për t'i dhënë ndihmën e parë mjekësore. Në rast se një situatë e tillë do të vazhdojë edhe për disa ditë, atëherë rrezikohet seriozisht edhe furnizimi i banorëve të këtyre fshatrave me ushqime dhe nevojat e përditshme. Përfaqësues të pushtetit lokal dhe Këshillit të Qarkut të Beratit janë shprehur se kanë hartuar të gjitha projektet për riparimin e segmenteve rrugore të dëmtuara, por për realizimin e tyre mungojnë fondet. E vetmja shpresë për rikthimin në normalitet të zonave të bllokuara nga rrëshqitja e dherave është lëvrimi i fondeve nga qeveria për riparimin e rrugëve. E ndërkohë që dëmet e shkaktuar në segmentet rrugore rurale ishin të pritshme, po të kemi parasysh reshjet e vazhdueshme dhe infrastrukturën e dobët, rrezik bllokimi ka paraqitur edhe segmenti nacional rrugor Berat-Skrapar. Ndonëse kjo rrugë është rehabilituar, në disa vende janë vërejtur çarje serioze të rrugës, të cilat, sipas përfaqësuesve të pushtetit lokal, janë të pariparueshme. Inxhinierët janë shprehur se këto çarje kanë ardhur si pasojë e cilësisë së dobët të punimeve që kanë bërë firmat e ndërtimit të rrugës. Më e rëndë paraqitet situata në hyrje të fshatit turistik Bogovë, ku një pjesë e rrugës është gati në të shëmbur, si dhe në fshatin Vertop. Përfaqësues të pushtetit lokal kanë deklaruar se edhe këtu cilësia e punimeve ka qenë mjaft e dobët, ndonëse gjatë vitit të kaluar vetëm në këto dy segmente rrugore janë investuar rreth 400 milionë lekë.

Rrëshqitjet e dherave shkaktojnë 400 milionë lekë dëme

BERAT - Grupi i ekspertëve ekonomikë i ngritur nga komunat e rrethit të Beratit, ku kanë ndodhur rrëshqitjet e tokës nga erozioni shkon në mbi 400 milionë lekë. Kjo është shifra që është deklaruar për gazetën burime nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit dhe të konfirmuara edhe nga Prefektura. Sipas këtij burimi në përllogaritjen e dëmit janë marrë parasysh të gjitha llojet e dëmeve në fshatrat ku kanë ndodhur, duke përllogaritur edhe dëmet e shkaktuar te kulturat bujqësore të mbjella nga fshatarët. Në bazë të përllogaritjeve rezulton, se vetëm në fshatin Koritëz deri tani janë shkatërruar plotësisht 82 hektarë tokë, të cilat kanë qenë të mbjella me grurë 28, jonxhë, pemtari, ullishte dhe bimë foragjere. Dëmet më të mëdha janë shkaktuar te tokat e mbjella me grurë (që janë edhe më të shumta), të cilat këtë sezon nuk do të japin asnjë gramë prodhim, pasi përmbytjet kanë shkatërruar plotësisht bimën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›