Plagoset aksidentalisht me çiften e burrit
11/03/2005 SHKODËR – Një plagosje aksidentale me çiften e bashkëshortit për pak mund të kishte qenë fatale për një grua nga fshati Velipojë. Pasditën e dy ditëve më parë në Plazh Velipojë, është plagosur aksidentalisht një 48-vjeçare, me banim në fshatin Velipojë. Nga veprimet e para proceduriale të kryera në vendin e ngjarjes rezultoi se kjo shtetase ka qenë duke udhëtuar me të afërmit e saj me automjetin e familjes dhe teksa po merrte çantën, aksidentalisht është shkrehur arma e gjahut çifte, që bashkëshorti i saj e mbante me leje. Gruaja është dërguar menjëherë në spital për të marrë ndihmën e duhur mjekësore nga bluzat e bardha të spitalit civil të Shkodrës. Pas plagosjes, në vendngjarje kanë shkuar menjëherë uniformat blu të policisë, të cilat kanë kryer veprimet e duhura proceduariale si dhe kanë marrë në pyetje dëshmitarët okularë së bashku me gruan e plagosur. Për këtë ngjarje, materialet proceduriale i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë rrethit Shkodër. Ndërkohë me cilësinë e provës materiale është bllokuar dhe arma e gjahut.