E Hënë, 2 Nëntor 2026

Drejtuesit e furgonëve, kërkojnë zgjidhje nga Bashkia

10/03/2005  Protestë kundër udhëzimit të Ministrisë së Transporteve dhe Telekomunikacionit

FIER - Drejtuesit e rreth 150 furgonëve taksi 8+1 protestuan dje para Bashkisë së Fierit, për problemet e tyre në lidhje me vendimin për t’u kthyer bosh pa pasagjerë. Ata kanë protestuar për rishikimin e vendimit për këtë shërbim, i cili, sipas tyre, i ka diskriminuar dhe po i çon në falimentim. Një nga kërkesat e tyre kryesore është heqja e vendimit për kthimin e tyre bosh kur shkojnë në destinacionin e kërkuar nga pasagjerët.

Sipas kryetarit të sindikatës të transportit 8+1, Novruz Skënderaj, kërkesa e tyre është për ndryshimin e vendimit për kthimin e tyre bosh.

”Ne nuk jemi dakord për kthimin tonë bosh, tha ai, sepse i paguajmë një për një detyrimet shtetit, sepse personi që na faturon për në drejtim të Tiranës apo Vlorës, ne vetëm mund t’i çojmë dhe nuk mund t’i marrim, por duhet t’i lëmë. Kjo ne na duket jo e drejtë, pasi qytetari është nevojtar, mund t’i ndodhë një vdekje apo një rast tjetër urgjent dhe ne jemi të detyruar që ta presim qytetarin. Në qoftë se ne nuk do të marrim zgjidhje për këtë problem, do ta shpallim grevën e përgjithshme në të gjithë Shqipërinë”.

Nga ana tjetër, Edmond Leka, në emër të Bashkisë së qytetit, ka garantuar drejtuesit e mjeteve që gjithçka do të zgjidhet sipas ligjit.

”Ne do të licensojmë automjetet taksi. Ditën e premte në Bashki ka ardhur shkresa, e cila detyron Bashkinë të lëshojë vetëm 84 leje transporti për taksi”, ka sqaruar më tej Leka.

Por drejtuesit e mjeteve këmbëngulin se çfarëdolloj mase e marrë ndaj tyre është e jashtligjshme.

Sakaq, të gjithë furgonat-taksi të kësaj shoqate kanë ndërprerë dje punën, në pritje të zgjidhjes së problemit të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›