Ndërtimoret në hetim pas plagosjes së të moshuarës
10/03/2005 ELBASAN - Janë pezulluar aksionet e policisë ndërtimore në Elbasan, pas akuzave për dëmtimin e një të moshuare, rreth 65 vjeçe, disa ditë më parë. Mësohet nga burime, ende të pakonfirmuara, se prokuroria e Elbasanit ka nisur një hetim, në lidhje me dëmtimin e shtetases Yllka Barxho, disa ditë më parë, e cila, për të mbrojtur dyqanin e saj, u hodh para fadromës, duke pësuar dëmtime në pjesën e kokës. Gruaja kaloi një gjendje të vështirë shoku, duke patur edhe shembje, që u shkaktuan nga përplasja me fadromën. Disa ditë më parë, Yllka Barxho, 65 vjeçe, u hodh para fadromës së policisë ndërtimore, për të shpëtuar dyqanin me rroba, me të cilin nxirrte bukën familja e saj. Pas publikimit në media, familjarët kanë marrë guximin të denoncojnë në prokurori dhe organi i akuzës ka nisur një hetim, në lidhje me ngjarjen. Ndërkohë, aksioni, që kishte nisur në qytet, është pezulluar deri në përfundimin e këtyre hetimeve. Po sipas të njëjtave burime mësohet se janë marrë në pyetje të gjithë inspektorët e policisë ndërtimore në Elbasan dhe është hartuar një raport mbi ngjarjen. Ky fakt ka bërë që fadroma e policisë ndërtimore të ndalohet këto ditë, pasi ishte premtuar se do të pastroheshin të gjithë ndërtimet pa leje në rrugët kryesore të qytetit.