E Hënë, 2 Nëntor 2026

Drejtuesit e furgonëve paralajmërojne përshkallëzim proteste

11/03/2005  BERAT - Grevat në fushën e transportit kanë përfshirë dje edhe pronarët dhe drejtuesit e 65 mikrobusëve taksi të transportit udhëtar, të cilët dje kanë protestuar para bashkisë së qytetit dhe prefekturës për ligjin që ndalon marrjen e pasagjerëve në kthim. Kryetari i sindikatës të transportit udhëtarëve e ka cilësuar urdhrin e ministrit të Transportit, Spartak Poçi, që më pas u kthye në ligj, si të padrejtë. Sipas tij, mikrobusët 8+1 nuk mbushen me pasagjerë në oraret e autobusëve dhe në shumë raste prenotohen për vajtje dhe kthim si në rast fatkeqësish edhe në raste gëzimesh. Kështu, sipas tij, nuk mundet që një mikrobus i prenontuar të çojë qytetarët në qytetin përkatës dhe të mos i marrë në kthim. Për këtë problem, drejtuesit e furgonëve 8+1 e cilësojnë si të drejtë protestën dhe grevën e tyre, pasi edhe ata i paguajnë taksat shtetit njëlloj si edhe mjetet e tjera, ndërkohë që shteti nuk i lejon të punojnë. Gjatë protestës së djeshme, 65 drejtuesit e mikrobusëve kanë pohuar se, nëse nuk marrin përgjigje pozitive nga dikasteri i Transportit, ata do të përshkallëzojnë protestën edhe me mjete të tjera demokratike. Po dje drejtuesit e protestës i kanë nisur edhe një telegram Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe ministrit të Transporteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›