E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dreka e mortit helmon 60 vetë

Dreka e ceremonisë mortore shkakton mbi 60 vetë të helmuar.

FUSHE-KRUJE/  ROLAND NIKOLLI

 Pjatat e ser-virura nga kuzhina e lokal "Vathit", buzë superstradës Fushë Krujë-Lezhë kanë provokuar helmimin masiv të personave që kishin marrë pjesë në varrim. Më rëndë ishin 6 prej tyre që u shtruan për mjekim të specializuar në Spitalin Ushtarak, gjendja e të cilëve u përmirësua në orët e pasdites. Me shpejtësi ka ndërhyrë dje policia, e cila ka bllokuar lokalin dhe ushqimet, pijet e konsumuara nga klientët, për të nxjerrë përfundimin mbi shkakun e ngjarjes. Deri vonë, në komisariatin e policisë ka qenë i shoqëruar pronari i lokalit, Afrim Vathi, njëkohësisht kuzhinieri i drekës, i cili ka dhënë detaje mbi menynë, ushqimet e gatuara dhe origjinën e tyre.
Ngjarja
Burime zyrtarë të policisë së Krujës pohuan se, shenjat e para të helmimit janë pikasur rreth orës 12:30 të ditës së djeshme, kur personat që kishin marrë pjesë në varrim, nuk kishin përfunduar drekën. Sipas tyre, ende pa ngrënë hallvën, ëmbëlsirën tradicionale në një ceremoni vdekjeje, kanë ndjerë dhe problemet. Në lokal ndodheshin rreth 150 persona, të afërm e të njohur mes tyre, të cilët morën pjesë në varrimin e 20-vjeçarit Saba Tema nga fshati Aramaras i Krujës. Pjesa më e madhe e tyre ka mbërritur në orën 12:00 në lokalin "Vathi", ku familjarët e viktimës kishin porositur drekën pas ceremonisë. Menyja e konsumuar prej tyre ka qenë: gjizë, djathë, sallatë jeshile e turshi, supë orizi me mish si dhe pilaf e biftek, ndërsa për pije vetëm ato freskuese. Menjëherë pas ushqimeve të servirura të pranishmit kanë nisur të ndjejnë të përzier. Ata kanë filluar njëri pas tjetrit të nxjerrin ushqimin, të kenë temperaturë dhe marrje mendsh. Pak momente më vonë, disa prej tyre kanë pësuar gjendje të fikëti. Vetëm atëherë është vënë alarmi. Personat që kishin makina kanë bërë transportin e atyre që ishin më rëndë për në poliklinikën e Fushë-Krujës. Sipas mjekut roje, Bashkim Xhafa, pacientët kishin vjella, hipertension dhe djersitje. "Numri i tyre sa vinte e shtohej dhe për pasojë kërkova ndihmën e spitalit të Krujës që më dërgoi një autoambulancë dhe ilaçe. Disa u nisën drejt Krujës e të tjerë drejt Tiranës. Si pasojë e fluksit nuk arritëm as të regjistronim emrat. Më rëndë ishte gjendja e Mirjeta Temës, 24 vjeçe e cila ishte edhe shtatzënë. Kjo situatë zgjati rreth 1 orë". Pjesa më e madhe e pacientëve janë larguar nga spitali dhe vetëm pak prej tyre kanë qëndruar nën terapinë mjekësore deri në normalizimin e shëndetit.
Policia
Vetëm 5 minuta më vonë është lajmëruar policia e Krujës, nga një telefonatë anonime në sallën operative të saj. Forca të shumta dhe vetë shefi i komisariatit Gjin Lesi kanë shkuar drejt vendit ku ndodhej lokali, pasi shifra e lartë e të helmuarve ishte vërtetë alarmante. Në ndihmë të klientëve me probleme ka shkuar policia, duke bërë transportin e tyre drejt urgjencave spitalore. Plot 43 vetë kanë përfunduar në Spitalin Ushtarak, ndërsa mbi 20 të tjerë në spitalin e Krujës. Një grup ekspertësh ka nisur punën për të kryer veprimet e para që do të çojnë në zbardhjen e shkaqeve të helmimit masiv. Nga Drejtoria e Higjienës në Krujë kanë mbërritur në lokal edhe specialistë, të cilët kanë marrë kampione të ushqimit që kanë konsumuar pacientët e shtruar në spital, për të kryer analizat përkatëse dhe nxjerrë shkaqet e helmimit. Nga hetimet e para dyshohet se mishi i gatuar për pjatën e dytë ka provokuar dhe helmimin. Por, pronari dhe kuzhinieri i lokalit ka reaguar menjëherë duke thënë se mishi ishte i freskët, duke mos hedhur dyshime tek asnjë prej ushqimeve të servirura prej tij. Megjithatë, sipas policisë fakti që helmimi është provokuar menjëherë do të thotë se një nga përbërësit ka qenë tërësisht jashtë standardit të konsumit. Duket se të vetmit që kanë përballuar efektin helmues kanë qenë persona me fizik të fortë dhe për fat nuk kishte fëmijë të vegjël.

Menyja e drekës

Supë orizi me mish
Gjizë, djathë,
sallatë jeshile dhe turshi
Pilaf me biftek
Pije freskuese

Torta helmoi 70 vetë në dasmë

Në gusht të vitit të shkuar, torta që u servir gjatë një ceremonie dasme u bë shkak për të helmuar rreth 70 persona në një fshat të Librazhdit. Ngjarja ndodhi në stinën e nxehtë, në kushtet e ndërprerjeve të shumta të energjisë elektrike, duke i bërë ushqimet të pakonsumueshme. Torta e ceremonisë ishte përgatitur 2 ditë para servirjes së saj, duke shkaktuar brenda pak orësh helmimin e dasmorëve. Nga kjo ngjarje arriti të shpëtonte vetëm çifti, ndërsa pjesa më e madhe e festuesve përfundoi në spitalin e Librazhdit.

Drejtori i spitalit: Si e përballuam fluksin e pacientëve të helmuar

KRUJE - Shkëlqim Parruca, drejtor i spitalit të Krujës ka qenë dhe mjek roje në momentin kur është dhënë alarmi i të helmuarve nga ushqimi. Sipas tij, spitali arriti të përballonte 23 pacientë, të cilët pas mjekimeve disaorëshe kanë mundur të rimarrin veten e të lënë të qetë spitalin. Po në këtë spital është ngritur dhe grupi i punës për të analizuar shkaqet e helmimit.
Kur nisi fluksi i pacientëve me shenja helmimi dhe si ishte gjendja e tyre?
Në spitalin e Krujës të parët kanë nisur të vijnë rreth orës 13:30. Sapo kisha nisur ambulancën nga Kruja për në Fushë-Krujë, ku të sëmurët mbërritën në spital me mjete të tjera. Ishte një gjendje e jashtëzakonshme. Kam lajmëruar të gjithë personelin e mesëm mjekësor, gjashtë mjekë specialistë si dhe farmacisten e spitalit. Gjendja shëndetësore e pacientëve fillimisht ishte shumë e rëndë.
Çfarë simptomash shfaqnin të sëmurët që mbërritën në spital?
Shumica e tyre kanë mbërritur në spital në gjendje të fikëti. Ata kishin të vjella, marrje mendsh, humbje ekuilibri si edhe temperaturë dhe djersitje.
Cilat ishin mjekimet që përdorët për ta?
Kemi vazhduar menjëherë me injeksionin e perfuzioneve. Ju kemi injektuar elektrolite, antibiotikë etj., duke bërë të mundur edhe përmirësimin e gjendjes së tyre shëndetësore. Një pjesë e të sëmurëve për arsye të kapaciteteve që ka spitali i Krujës i kemi nisur në spitalet e Tiranës. Pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore, të afërmit e pacientëve kanë insistuar që ata t'i merrnin të sëmurët nëpër shtëpi.
Sipas jush, cili është shkaku i këtij helmimi masiv?
Ne mendojmë se ushqimi është shkak i helmimit. Megjithatë së bashku me policinë po punon edhe një ekip mjekësh të higjienës për të bërë analizat e nevojshme dhe nxjerrjen e shkaqeve të helmimit.

Aksidenti i mori jetën 20-vjeçarit

Ceremonia mortore ku merrnin pjesë pacientët e helmuar ishte e Saba Temës nga fshati Arameras i Krujës. Sipas burimeve të policisë, trupi i 20-vjeçarit ishte sjellë nga Italia vetëm dy ditë më parë, pasi kishte humbur jetën si pasojë e një aksidenti tragjik. Ngjarja ndodhi rreth 1 javë më parë, por procedurat e mbërritjes së trupit në vendlindje shtynë dhe ceremoninë e varrimit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›