E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk i lejojnë të marrin krom,banorët përplasen me firmat

Banorët e Bulqizës përplasen me firmat private për stoqet e kromit.

BULQIZE/ ROLAND NIKOLLI

Burimi i vetëm i të ardhurave, që fitojnë pas shitjes së mineralit të mbledhur i ka bërë familjarët e shumtë të kërkojnë largimin e subjekteve, që veprojnë në qytetin e tyre.
Bashkë me banorët e Bulqizës janë bashkuar dhe ata të zonave përreth, të cilët kanë ngritur zërin, që të ikin firmat që marrin kromin në këtë qytet dhe nuk janë vendas. Ata kërkojnë dhe takim me ministrin e Ekonomisë, pasi sipas tyre vetëm atëherë do të shmangen konfrontimet që mund të lindin mes punëtorëve, policisë dhe firmave private. "Jemi të vendosur që të vazhdojmë të marrim krom në stoqet që ndodhen në qytet, pasi vetëm me paratë nga shitja e mineralit që mbledhin këtu paguajmë bukën e përditshme dhe ushqimet që marrim me listë", janë shprehur ata. Përballë kësaj situate ka ndërhyrë policia e rendit e qytetit, por me ta janë konfrontuar 50 banorët. Forcat e rendit u kanë kërkuar ndërprerjen e kërkimit dhe grumbullimit të kromit, pranë zonave të minierave të marra me koncesion nga privatët, pasi kromi është nën administrim të tyre dhe nuk mund të shpërdorohet, ndërsa është dhe burim rreziku për jetën e atyre që kërkojnë mineral.
Por, banorët e Bulqizës u janë përgjigjur, se: "Ne jemi njerëzit që marrim bukën me listë për të mbajtur fëmijët. Qeveria dhe pushteti lokal si dhe firmat private që punojnë në Bulqizë nuk na afrojnë vende pune. Kemi ardhur këtu për të mbledhur copa kromi, në stoqet që kanë lënë të burgosurit e para viteve '90 këtu ku punonin, në minierën e Bulqizës". Por, banorët janë përplasur me punonjës të disa firmave private që pretendojnë se këto stoqe janë të tyre dhe ndodhen në territorin e licencimit të tyre. Kjo ka acaruar situatën dhe për pasojë ka ndërhyrë policia e rrethit, duke shmangur për momentin konfliktet. Sipas banorëve, policia u ka marrë atyre veglat e punës, ndërsa ata kanë vazhduar sërishtë punën duke nxjerrë kromin me dorë. Banorët kërkojnë që firmat private që operojnë për nxjerrjen e kromit në Bulqizë të largohen nga ky rreth, deri në takimin e tyre me ministrin e Energjetikës, pasi sipas tyre i vetmi vend, ku ata mund të punojnë dhe të mbajnë familjet e tyre është kromi. Ndërkohë, që burime të policisë së këtij rrethi bëjnë të ditur se, punëtorët akoma nuk kanë hyrë në territorin e licencimit të firmave. Sipas tyre, nëse do kishte ndodhur kjo do të detyroheshin t'i shoqëronin në polici me akuzën e dëmtimit të pasurisë së tjetrit, madje ndaj tyre mund të niste dhe hetimi. Ndërsa, një nga drejtuesit e policisë së Bulqizës është shprehur se, edhe ndërhyrja për largimin e këtyre banorëve është e pamundur pasi shumë prej tyre janë në gjendje të vështirë ekonomike dhe i shohin vendgrumbullimet e kromit si të vetmen punë për të mbajtur familjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›