E Diel, 1 Nëntor 2026

Drekon me shokët, më pas vetëmbytet në liqen

ELBASAN- Mbytet në rezervuar pasi kishte drekuar me shokët. Neshat Tolaj, 43 vjeç, është mbytur dje në rezervuarin e fshatit Funar të Elbasanit, kur në fakt kishte shkuar për një drekë me disa shokë në një lokal. I ndjeri ka qenë duke pirë në lokalin në pronësi të shtetasit Ramazan Ceni me banim në këtë fshat, nën shoqërinë e shokëve Gentian Balla dhe Halit Dervishi. Policia, si dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje menjëherë sapo janë lajmëruar për atë që kishte ndodhur. Sipas deklarimeve të marra nga dëshmitarët në vendngjarje dhe shokët e tij, Neshat Tolaj ka qenë duke ngrënë dhe pirë në lokal bashkë me të tjerët. Më pas ai është ngritur nga tavolina duke iu thënë shokëve se do të shkonte në tualet. Kanë kaluar disa minuta dhe shokët janë shqetësuar për vonesën. Në këtë kohë, njëri prej tyre, Halit Dervishi, ka shkuar të interesohet për fatin e tij. Por nuk e ka gjetur as në tualet dhe as përreth lokalit. Ai mësohet se ka parë një trup mbi ujë dhe ka rendur për të lajmëruar të tjerët, që kanë nxituar drejt rezervuarit. Pasi kanë kontrolluar, atakanë gjetur në breg xhaketën dhe një palë atlete. Dëshmitarët e kësaj ngjarjeje kanë lajmëruar policinë. Trupi i pajetë i viktimës është nxjerrë nga rezervuari me ndihmën e polumbarëve. Në cilësinë e provës materiale është bllokuar edhe celulari që Neshat Tolaj e kishte lënë në lokal. Sipas të dhënave të para të grupit hetimor, dyshohet se 43-vjecari e ka ndërmarrë aktin ekstrem pas rënies në depresion. Gjithsesi, nga policia janë duke u hetuar të gjitha pistat mbi këtë ngjarje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›