E Diel, 1 Nëntor 2026

Ende në liri vrasësi i 57-vjeçares

 

Policia po komunikon me familjarët në mënyrë që Antoni të bindet që të vetëdorëzohet

SHKODËR – E mori gjakun e nënës, dhe tashmë është në kërkim nga policia, pa mundur që të përcaktohet vendndodhja e tij. Skanimi i gjithë zonës dhe mendimi se Anton (Ndoc) Mbrozi nuk do të kishte shkuar shumë larg, duket se nuk ka qenë shumë i vërtetë, pasi të gjitha kërkimet kanë dalë të kota. Tashmë uniformat blu të Shkodrës kanë menduar një tjetër taktikë për të kapur autorin: bindjen përmes të afërmve. Policia ka komunikuar me familjarët dhe iu ka kërkuar të komunikojnë me 37-vjeçarin në mënyrë që ai të vetëdorëzohet pas kryerjes së vrasjes. E megjithatë ende nuk ka asnjë lajm për arrestimin e gjakmarrësit.

Familja

Bashkëshortja e autorit të ngjarjes, së bashku me katër fëmijët mësohet të jetë dërguar në Tiranë me autoambulancë, për shkak të shokut të shkaktuar nga vrasja para syve të tyre të 57-vjeçares nga kreu i familjes. Gruaja është marrë nën përkujdesje nga vëllezërit e saj. Sipas personelit mjekësor në Vaun e Dejës, ajo ka kaluar në gjendje depresive. Anton Mbrozi e vrau Marijen në shtëpinë e tij, ndërsa aty ndodheshin edhe gruaja dhe katër fëmijët e mitur.

Përcillet 57-vjeçarja Marije Mbrozi

Marije Mbrozi, 57 vjeç, nënë e gjashtë fëmijëve, u përcoll dje nga të afërmit për në banesën e fundit. Megjithëse gjithçka ka marrë fund tashmë, për familjarët është e pakuptueshme vrasja e gruas, duke vazhduar të mohojnë përfshirjen e saj në vetëvrasjen e Doke Mbrozit.

Ngjarja

Marije Mbrozi u vra dy ditë më parë nga Anton Mbrozi, në shtëpinë e këtij të fundit. Shkaku deri më tani konsiderohet hakmarrja e 37-vjeçarit për vdekjen e së ëmës dy muaj më parë. Sipas burimeve të policisë, por edhe dëshmive të të afërmve, Antoni dyshonte se Marija i kishte vrarë nënën më 5 gusht të këtij viti, vdekje që pas hetimeve të kryera nga organi i prokurorisë ishte cilësuar si vetëvrasje, edhe për shkak se e moshuara kishte tentuar edhe më parë të vriste veten.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›