E Diel, 1 Nëntor 2026

Meçe: Ligji cenon pavarësinë e avokatëve

 

Avokati Vladimir Meçe komenton ligjin e miratuar sipas të cilit në procesin e hartimit të këtij ligji nuk kanë qenë përfshirë asnjë prej palëve të interesuara

Avokati Vladimir Meçe shpjegon se cilat janë nenet e kundërshtueshme të këtij ligji si dhe problemet që mund të dalin

Për avokatin Vladimir Meçe neni 37 i ligjit “Për Avokatinë” është ndër pikat më të kontestueshme pasi ai cenon rëndë dhe pavarësinë e këtij institucioni. Ligji i miratuar dy ditë mëparënë mbledhjen e Këshillit të Ministrave ka ngjallur debate, ndërkohë që ky ligj është prezantuar nga qeveria pjesë e draftit të reformimit të sistemit të drejtësisë. Në një intervistë për “Shekullin”, avokat Vladimir Meçe shpjegon nenet më të kontestuara të këtij ligji si dhe procesin e reformës së ndërmarrë në sistemin e drejtësisë.

Z. Meçe qeveria ka miratuar ligji “Për profesionin e avokatisë në Republikën e Shqipërisë”. Aktualisht ka një debat të gjerë pro dhe kundër këtij projektligji dhe shumica e kundërshtimeve vijnë nga radhët e avokateve. Cili është mendimi tuaj? Unë e kam lexuar projektligjin që Qeveria do të paraqesë në Parlament dhe nga një vështrim i shpejtë i tij nuk konstatoj momente që mund të prodhojnë pasoja negative. Së pari, dua të theksoj se ky është vetëm një projektligj dhe nuk mund të vendoset ai apo Qeveria në "bankën e të akuzuarve" e aq më pak do të ishte e ndershme të " deklarohej ai fajtor" që në këtë moment. Procesi i ligjbërjes vazhdon dhe do të jetë Parlamenti që do ta thotë fjalën e tij i fundit. Nuk mund të paragjykohet qëllimi i mirë apo i keq i Qeverisë, vetëm pse synon të realizojë një objektiv të sajin që lidhet me reformën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Procesi i ligjbërjes ka nevoje gjithashtu për një ndërveprim të gjerë të të gjithë faktorëve dhe aktorëve që operojnë në fushën e drejtësisë. Askush nuk pengon askënd që të shfaqe mendimet dhe idetë e tij dhe t’i përcjellë ato si për publikun e gjerë ashtu edhe për grupet e interesit. Para se të jemi kritikues duhet të kërkojmë më shumë nga vetja dhe të bëhemi pjesë e debatit dhe konsultimeve. Unë mendoj se reforma në drejtësi ka nevojë për të gjithë, për idetë dhe mendimet e kualifikuara të gjithë profesionisteve. Gjykimet le t’ia lëmë kohës.

Për mendimin tuaj pse këto ndryshime kur ligji është miratuar në vitin 2003? Ç’farë prek ky projektligj në institucionin e avokatit dhe pse ndryshimet e bëra kundërshtohen?

Mendoj se kontestimi qëndron vetëm në shtimin në nenin 37 pika 2 të ligjit ekzistues ku e drejta për tu ankuar për avokatin i jepet edhe tre kategorive të tjera që janë: ç) gjyqtarët dhe prokurorët; d) ministri i Drejtësisë; dh) çdo organ tjetër shtetëror, i parashikuar me ligj.”. Për sa i përket pjesës tjetër të ndryshimeve nuk besoj se ka kontestime pasi projektligji vetëm se rregullon në mënyrë të detajuar procedurat e gjykimeve disiplinore ndaj avokatëve që shkelin ligjin apo kodin etik. Nëse këto kategori duhet ose jo të përfshihen në ndryshimet e ardhshme të ligjit, mendimet mund të jenë të ndryshme. Në parim, duket se cenohet pavarësia e avokatit pasi ai mund të bëhet objekt edhe i ankimeve jo të drejta për qëllime krejt të ndryshme nga ato që ndjek ligji, por, mendoj se askush nuk ka pse të trembet nga procedimi disiplinor kur respekton me fanatizëm ligjin dhe kodin etik.

A kanë marrë pjesë palët e interesuara ne hartimin e këtij projektligji dhe a keni dijeni se cila do të jetë rruga e kundërshtimit të këtij projektligji apo cili do të jete aksioni qe do të ndërmarre Dhoma e Avokateve për të penguar miratimin e tij ?

Lidhur me pjesëmarrjen në procesin e hartimit dhe diskutimit të projektligjit, ne dijeninë time nuk është që të jenë përfshire avokatët. Kjo nuk i pengon ata që të përfshihen tani në debat. Për sa i përket aksioneve të Dhomës së Avokatëve për të penguar miratimin e tij, është shpejt të flasim për një gjë të tillë. Projekti ende nuk është lexuar, studiuar dhe debatuar. E thashë që në fillim se paragjykimi edhe në këtë rast si në çdo rast tjetër është vetëm i dëmshëm. Kemi nevojë për një diskutim dhe konsultim të gjerë e konstruktiv, jo vetëm për këtë projektligj por për gjithë reformën në drejtësi. Askush nuk duhet të qëndrojë në pozita pritshmërie. Kush ka diçka për të thënë duhet të flasë, ndoshta edhe të propozojë apo të hedhe ide të tjera pasi mund të vijnë shumë ide produktive nga radhët e avokateve apo grupet e tjera të interesit, në mënyrë që rregullimet në ligj të bëhen njëherë e mirë, përndryshe çdo kritikë në kohën jo të duhur nuk do t’i shërbejë progresit dhe reformimit të sistemit tonë të drejtësisë. Kemi të gjithë përgjegjësi për reformën në drejtësi dhe askush nuk mund të shpëtoje prej saj vetëm duke thënë " Unë kam qenë kundër"!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›