Të dënuarit, protestë në burgun e Fushë Krujës
Të dënuarit në burgun e Fushë-Krujës janë hedhur sot në protestë kundër mënyrës së trajtimit dhe kushteve në burg. Ata pretendojnë se nuk u respektohen të drejtat si të dënuar. Në thirrjet e tyre për drejtuesit e burgut kërkojnë respektimin e të drejtës për të dalë në kohën e ajrimit, për të cilin deklarojnë se po u lejohet.
Sipas burimeve nga burgu mësohet se të dënuarit ankohen edhe për mënyrën e të ushqyerit. Sipas tyre, vakti i mëngjesit nuk u jepet dhe ata e cilësojnë këtë padrejtësi të madhe. Revolta nisi në orët e mëngjesit dhe në të u përfshinë disa të dënuar. Pas situatës së krijuar, në drejtim të burgut të Fushë-Krujës janë nisur forca speciale nga Tirana.
Në këtë burg ka të dënuar me burgim të përjetshëm dhe të tjerë të dënuar me 15-20 vite burg. Këtu vuajnë dënimin, të dënuar për vepra të bujshme penale, si Gaxhai dhe i dënuari për vrajesn e Arben Zylyftarit.
Burimet zyrtare nga Drejtoria e Burgjeve bëjnë me dije se situata është nën kontroll. Sipas tyre, ndryshimi i rregullave, që është pasuar me rebelimin e të burgosurve ka ardhur për shkak të përfundimit të sezonit veror.Ky burg ka nje kapacitet prej 300 personash dhe përveç seksioneve të sigurise së lartë ka edhe të zakonshme. Krerët e Drejtorisë së Përgjithshme të burgjeve deklarojnë se, vetëm një prej seksioneve është i përfshirë në këtë protestë dhe jo gjithë të dënuarit.