Alibeaj tallet me Kushtetutën: Është telenovelë
Gafa e ministrit në Shkodër: Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është miratuar në vitin 1992
SHKODËR- “Teksti i vetëm me të cilat institucionet e drejtësisë duhet të maten është respekti ndaj individit, dhe për fat të keq në Shqipëri akoma nuk ekziston ky fenomen. Për këtë arsye duhen ndërmarrë reforma të rëndësishme në këto institucione”. Në këtë mënyrë i është përgjigjur dje nga Shkodra ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, të gjithë debatit të nisur ditët e fundit në lidhje me reformën në drejtësi. Edhe pse i kundërshtuar nga gjyqtarët, prokurorët, avokatët, noterët dhe të gjitha institucionet ndërkombëtare, Alibeaj ka insistuar duke thënë se prokuroria dhe gjyqësori duhet t’ua bëjnë jetën sa më të lehtë njerëzve, por kjo nuk ndodh realisht. “Njerëzit nuk respektohen dhe as nuk ndihen të lire para këtyre institucioneve. Gjyqësori i mundon e sorollat ata dhe jo gjithmonë janë të drejta vendimet që jepen prej tij. Ndaj dhe duhen reforma”,ka pohuar Alibeaj. Ai e ka quajtur “ylli polar i suksesit” momentin kur njerëzit të ndihen të respektuar dhe t’u jepet vlerësimi që u takon. “Kushtetuta është telenovela më e dashur e shqiptareve, pasi të gjithë bluajnë argumente kushtetuese, por vetëm një gojë flet dhe vendos për të, gjykata kushtetuese”, ka komentuar animimin e gjyqtarëve Alibeaj. Ai ka bërë edhe gafën duke e cilësuar Kushtetutën si 16- vjeçare por menjëherë ka reaguar deputetja e maxhorancës, Arenca Trashani që i ka shpjeguar se Kushtetuta ka vetëm 10 vjet që është miratuar. .