E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drenica, pengesa e parë e Trepçës drejt mbrojtjes së titullit

Prishtinë, 15 gusht - Trajneri i Trepçës, Gani Sejdiu, e di që Drenica është përballur me probleme gjatë fazës përgatitore, por megjithatë ai nuk e përjashton mundësinë që "kuqezinjtë" t'i shkaktojnë probleme skuadrës së tij. Trepça pret Drenicën të dielën nga ora 17.00 në stadiumin "Adem Jashari" në Mitrovicë në kuadër të javës së parë të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. Trepça është kampione në fuqi dhe synon që mbrojtjen e titullit ta nisë me fitore.

"Jemi të përgatitur për këtë takim dhe pres që kundër Drenicës të kemi paraqitje të mirë. Nuk do ta kemi aspak lehtë përkundër faktit se Drenica ka pasur probleme më herët. Kjo skuadër së fundi është organizuar dhe ka angazhuar disa futbollistë cilësorë. E rëndësishme për ne është që mbrojtjen e titullit ta nisim me fitore. Me angazhim maksimal të futbollistëve nuk besoj se do të kemi probleme për të mposhtur Drenicën", ka thënë Sejdiu të shtunën.

Drenica ka nisur me vonesë përgatitjet, ndërsa kryesia e klubit është zgjedhur vetëm në fillim të javës. Probleme, por më të vogla ka pasur edhe Trepça. Javën e kaluar futbollistët kanë bojkotuar një stërvitje për shkak të borxheve që ndaj tyre kishte kryesia e klubit. Obligimet ndaj futbollistëve janë kryer të premten. Trepça të dielën e kaluar mposhti Lirinë me rezultatin 2:0 në ndeshjen e Superkupës.

Gjatë verës skuadra mitrovicase ka angazhuar Arsim Plepollin, Burim Sadikun, Shpëtim Fetahun e Isuf Sejdiun. Nga kjo skuadër janë larguar Suad Përtinac, Patrik Doqi, Samir Sahiti dhe së fundi edhe bullgari Ilie Stoev.

Trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, ka thënë se skuadra e tij në Mitrovicë udhëton për të marrë pikë. Ai ka pranuar se futbollistët e Drenicës nuk janë të përgatitur si duhet.

"Stërvitjet i kemi nisur me vonesë dhe nuk mund të them se jemi 100% të gatshëm. Trepça ka skuadër të mirë të përbërë nga futbollistë me përvojë. Por edhe ne kemi bërë disa përforcime të mira. Kemi një ekip solid. Nuk do të udhëtojmë me çdo kusht të fitojmë, por as nuk do të dorëzohemi. Pres rezultat pozitiv", ka theksuar Lushtaku.

Së fundi Drenica është përforcuar me mesfushorët Muhamet Dragusha, Mensur Limani e Dukagjin Gashi.

Të dielën luhen edhe katër takime të tjera të javës së parë. Ndeshje rivalizuese pritet të zhvillohet edhe në Merdar ku takohen Hysi dhe Liria. Skuadra e promovuar në Superligë, Ballkani i Therandës ndeshjen kundër Flamurtarit e luan në Prizren, pasi stadiumi i tij nuk është ende i gatshëm për ndeshje.

Raiffeisen Superliga në futboll - I

E diel (17.00)

Trepça - Drenica
Besa - Vëllaznimi
Ballkani - Flamurtari
Ferizaj - Trepça '89
Hysi - Liria

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›