E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdon dhuna në futbollin kosovar

Sulmet fizike ndaj gjyqtarëve të ndeshjeve në Ligën e Parë të Kosovës në futboll s’kanë të ndalur. Të shtunën, për të tretën xhiro rresht, është ndërprerë para kohe ndeshja mes Sharrit e Hajvalisë. Gjyqtari kryesor i këtij takimi, Bajram Gashi është bërë për spital, pasi u rrah nga huliganët. Federatës së Futbollit i ka humb durimi.

Dhuna ndaj gjyqtarëve dhe personave zyrtarë të ndeshjeve të futbollit në Ligën e Parë të Kosovës nuk ka të ndalur. Në tri ndeshje, brenda tri xhirove të fundit të kësaj lige, gjyqtarët kanë rënë viktimë e sulmeve fizike të huliganëve.

Së fundmi, ndeshja mes Sharrit dhe Hajvalisë, e zhvilluar të shtunën, është ndërprerë në minutën e 88-të, pasi tifozët vendas u janë vërsulur gjyqtarëve, të cilët i kanë sulmuar fizikisht.

“Ndeshja u ndërpre në minutën e 88-të, kur rezultati ishte 1:1. Një shikues e ka goditur me grusht një lojtar të Hajvalisë, i cili mbeti i shtrirë në fushë. Me këtë rast, gjyqtari kryesor e ka ndërprerë ndeshjen”, ka rrëfyer për Express një dëshmitar i ngjarjes.

“Ky vendim i gjyqtarit ka bërë që tifozët të vërsulen në fushë dhe i kanë sulmuar rëndë gjyqtarët, por edhe vëzhguesin e ndeshjes. Më së rëndi është sulmuar gjyqtari kryesor. Vërtet ishte fatbardhësi për gjyqtarët dhe vëzhguesin e ndeshjes që i shpëtuan më të keqes, sepse vetëm dy pjesëtarë të policisë ishin të pranishëm në stadium”, ka theksuar ky dëshmitar, i cili deshi të mbetet anonim.

Sipas tij, gjyqtari kryesor i atij takimi Bajram Gashi është dërguar për të marrë ndihmën e parë mjekësore në spital. Ky është sulmi i tretë rresht ndaj gjyqtarëve në këtë ligë, pasi në dy ndeshje të mëparshme gjyqtarët janë sulmuar fizikisht nga ana e rahovecasve. Madje, raste të sulmeve ndaj gjyqtarëve tashmë kanë ndodhur edhe në ndeshjet e Superligës.

Ky fenomen e ka shqetësuar Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK). Sekretari i saj, Eroll Salihu, paralajmëron ndëshkime të rënda për akterët e sulmeve ndaj gjyqtarëve.

“Si Komitet Ekzekutiv i FFK-së jemi të shqetësuar me këtë fenomen. Dhunuesit e futbollit nuk kanë vend në futboll dhe i lus që të largohen nga futbolli, sepse po na dëmtojnë progresin drejt anëtarësimit në FIFA. Unë ju garantoj se tash e tutje dënimet ndaj sulmuesve të gjyqtarëve do të jenë rigoroze. Do ta shihni këtë. S’ka më tolerim”, ka deklaruar Salihu për Express.

Duhet theksuar se fenomeni i sulmeve fizike ndaj gjyqtarëve është njëra prej pikave më të zeza që e përcjell futbollin kosovar që nga periudha e pasluftës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›