E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritikat e Romarios

Ish sulmuesi i famshëm i Brazilit, Romario, aktualisht anëtar i Parlamentit, ka kritikuar ashpër përgatitjet e nikoqirit të Kampionatit botëror 2014. Ai vazhdon të kundërshtojë presidentin e Konfederatës braziliane të Futbollit (CBF), Ricardo Teixeira, ndërsa ankohet për dobësinë qeveritare në raport me FIFA-n.

Romario ka kritikuar përgatitjet e Brazilit për Kampionatin botëror 2014, denoncoi kreun e Komitetit Organizativ Ricardo Reixeira dhe u ankua për dobësinë qeveritare në raport me Federatën botërore të Futbollit, FIFA.

Ish sulmuesi i famshëm i Seleçaos, tani anëtar i Parlamentit, dështoi këtë vit në përpjekje për të sjellë presidentin e Konfederatës braziliane të Futbollit (CBF) para parlamentit për t’iu përgjigjur akuzave për korrupsion.

Megjithatë, Romario beson se vendimi i mëhershëm i kësaj jave nga policia për hetimin e Teixeiras, i cili është edhe në krye të Komitetit Organizativ të Kampionatit botëror, mund të shihet si dritë e gjelbër për përmirësimin e përgatitjeve të garës.

“Nuk bëhet fjalë për një sulm frontal, është e thënë e asaj që njerëzit nganjëherë nuk kanë guxim ta thonë, të vërtetën e pastër, realitetin”, tha Romario për Reuters gjatë një interviste nga apartamenti i tij në Barra da Tijuca me pamje nga deti.

“Dikush duhet të marrë një qëndrim”, shtoi 45 vjeçari i cili udhëhoqi repartin sulmues kur Brazili fitoi të katërtin prej pesë titujve të tij në Kampionat botëror më 1994 dhe tani kërkon një rol udhëheqës jashtë fushës. Romario tha se u mundua të caktojë një takim me presidentin Dilma Rouseff për të biseduar për Kampionatin botëror, por realizimi ishte i pamundur.

Ai beson se qeveria është treguar e dobët duke u përkulur para kërkesave të FIFA-s dhe mosushtrimi i presionit ndaj Teixeiras, i cili udhëheq futbollin brazilian nga viti 1989. Sulmuesi shtoi se Teixeira ka penguar avancimin e përgatitjeve të Brazilit për Kampionatin botëror duke dështuar t’u përgjigjet kritikave.

“Qeveria duhet të ushtrojë presion ndaj tij. Gjërat nuk janë ashtu siç thotë ai, ai nuk e udhëheq shtetin, ai nuk e udhëheq as futbollin. CBF është organi kryesor, por futbolli nuk ka një pronar, u takon njerëzve”, u shpreh ai.

“Kampionati botëror është i Brazilit dhe i brazilianëve. Njerëzit duhet të jenë mirënjohës që Ricardo Teixeira e solli Kampionatin botëror në Brazil. Urime, ne të falënderohemi. Pikë! Nga këtu është punë e Brazilit”, theksoi ai.

Të martën, policia dhe zyra e prokurorëve federalë njoftoi se do të hetojë Teixeiran për dyshime rreth transferimit ilegal të fondeve dhe shpëlarje parash. Zëdhënësi i CBF-së, Rodrigo Paiva, i tha Reutersit se organizata e tij e as Teixeira nuk kanë koment rreth akuzave.

“Nëse ai përgjigjet në pyetjet që miliona brazilianë duan të dëgjojnë, do të jetë për të mirë të Kampionatit botëror dhe gjërat do të fillojnë të lëvizin. Dua shumë që Ricardo Teixeira, si emri më i madh në futbollin brazilian, të jep përgjigjet e tij dhe arsyetojë gjërat që njerëzit i shohin si jonormale”, përfundoi Romario.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›