E Diel, 1 Nëntor 2026

Metamorfoza e Bares, nga polic në kryekriminel

Vrasje, hedhje kokash në erë me eksploziv, pengmarrje, tortura dhe përdhunime të tmerrshme, të gjitha pjesë e jetës së një ish-polici, Alfred Shkurtit alias Aldo Bares dhe "bandës" së tij, e cila mbase nuk do të kishte ekzistuar nëse ish-shoqëruesi i ministrit të Brendshëm gjatë viteve 1988-‘91 nuk do të ishte i pranishëm në vrasjen e vëllait të tij, Ramadan Shkurti, nga i "forti" i asaj kohe në zonën e Myzeqesë, Artur Daja.
Fama e policit Alfred Shkurti dhe e bandës që drejtonte mori udhë kur vendosën të bënin një xhiro në qytetin e Lushnjës, duke mbajtur në duar kokën e Artur Dajës, për të shënuar "kurorëzimin e mbretit të ri", që në pak kohë ishte shndërruar në liderin e padiskutueshëm të një grupi kriminal dhe një prej krerëve mafiozë më të rrezikshëm të Shqipërisë. Historia e kapobandës filloi të kishte një version zyrtar hetimesh shumë vite më vonë. Një dosje e mbushur me fakte dhe dëshmi, mbi një luftë "mafioze" dhe dhjetëra vrasje hakmarrjeje.
Aldo Bare u arrestua në Ankara më 25 mars 2006, pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar ndaj tij, në një kohë që strehohej në Turqi me identitetin e rremë Mikel Kodra, duke u prezantuar si shqiptaro-maqedonas. Gjithashtu ai kishte lëvizur edhe me identitetin Artur Sallabanda dhe një sërë pseudonimesh të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›