E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dridhet Turqia perëndimore

Nga Express më 20 maj 2011 në ora 16:36

Katër persona kanë humbur jetën dhe mbi 120 të tjerë janë lënduar si pasojë e tërmetit që ka goditur të enjten mbrëma Turqinë perëndimore. Fillimisht mediat turke njoftonin vetëm për dy viktima.

Intensiteti i tërmetit të së enjtes mbrëma, që u regjistrua në orën 23:15 sipas kohës lokale, ishte 5.7 shkallë të Richterit. Epiqendra e tërmetit ishte rreth 70 kilometra nga qarku Kutahya, që ndodhet në pjesën perëndimore të shtetit turk, gjegjësisht në qytezën Simav. Njoftohet se në gjithë rajonin është ndërprerë furnizimi me energji elektrike.

Edhe pse ministri turk i Ambientit, Veysel Eroglu, fillimisht njoftoi se si pasojë e tërmeti janë lënduar 79 persona, njëri prej të cilëve rëndë, disa orë më vonë agjencia e lajmeve Anatolia raportoi se numri i të lënduarve tashmë kishte arritur në 122.
Ndryshe, tërmeti është ndjerë edhe në rajonin e Marmarasë, në Stamboll, në Bursë, në Yalova, në Balikeshir dhe në Çanakkale.

Në Bursë, qytet ky që ndodhet rreth 120 kilometra larg nga Kutahya tërmeti ka shkaktuar panik në mesin e banorëve, njoftojnë mediat lokale.

Tërmeti shoti frikën se nga miniera afërt e argjendit dhe nga fabrika për rafinimin e tij Eti Silver Corporation, në Kutahya, do të mund të vinte deri te rrjedhja e cianidit.

Ministri i Ambientit, Eroglu, ndërkaq pohoi se epiqendra e tërmetit ishte larg lokacionit të fabrikës.

“Ne kemi ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme”, theksoi ai, derisa po përgjigjej me zemërim në spekulimet se tërmeti do të mund të ketë nxitur rrjedhjen e cianidit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›