E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdojnë protestat

Nga Express më 20 maj 2011 në ora 19:45

Të shpërndarë në celula, simpatizantë të Partisë Socialiste, të drejtuar nga njerëz me imunitet, kanë krijuar shqetësim në qarkullimin rrugor në disa akse nacionale, duke vendosur gurë e goma për t’u vënë flakën më pas.

Të ashtuquajtura protesta e socialistëve ka nisur edhe në Sarandë, ku kanë bllokuar urën e Gajdarit.

Në Berat, protestuesit kanë bllokuar kryqëzimin e Urës Vajgurore.

Mbështetësit e PS, protestuan edhe në Pogradec, ku edhe atje është bllokuar aksi Pogradec-Përrenjas, me gurë e goma makinash.

Në protestë janë ngritur edhe simpatizantët e Fushë-Krujës të cilët bllokuan autostradën Fushë Krujë-Shkodër, duke i bllokuar kështu Tiranës lidhjet me zonat veriore. Protestuesit në jug bllokuan me goma makine aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë.

Kurse në Elbasan, turma e drejtuar nga deputete socialiste dhe drejtues te qeverisjes vendore bllokuan aksin rrugore Elbasan- Librazhd.
Në Fier, serish turma i është drejtuar Urës së Mbrostarit duke bllokuar aksin rrugor Fier- Lushnjë.

Në Vlorë, dhjetëra njerëz i janë drejtuar Urës së Mifoli, ashtu siç edhe vepruan një ditë më parë.

Ashtu siç ishte parashikuar pasditen e se premtes rinisen protestat e Partisë Socialiste në disa qytete të vendit.

Ajo çka është vërejtur gjatë këtyre tubimeve, ka qenë fjalori vulgar dhe agresiv i pjesëmarrësve të cilët drejtoheshin nga deputetë.

Turmat kanë patur për pjesëmarrës punonjës të administratës vendore si dhe persona me precedentë penalë.

Nisur nga fakti që për të ruajtur qetësinë, policia nuk ka bërë asnjë ndërhyrje, por ka kërkuar në vazhdimësi të mos ushtrojnë terror dhe dhunë ndaj kalimtarëve.

Por kjo duket se nuk ka shqetësuar organizatorët e turmave të cilët i kanë drejtuar ata në bllokim të qarkullimit duke shkaktuar kaos dhe shqetësim për udhëtarët.

Një ditë më parë, Policia e Shtetit raportoi për ndjekjet penale të realizuar nëpër rrethe ndaj individëve të cilët kanë organizuar grumbullime të paligjshme si dhe kanë ushtruar dhunë ndaj kalimtarëve.

SHBA: Liderët shqiptarë të respektojnë procesin zgjedhor

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje udhëheqësve dhe të gjithë anëtarëve të partive politike në Shqipëri të respektojnë procesin zgjedhor dhe të ruajnë qetësinë.

"Dhuna dhe retorika që kërcënon për dhunë ose nënkupton akte dhune, nuk është me vend dhe përbën kërcënim për të ardhmen e Shqipërisë", thuhet në deklaratën e ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit, Filip Gordon.

Ky i fundit thekson rëndësinë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ta kryejë funksionin e tij në mënyrë konsistente dhe transparente, në përputhje të plotë me ligjin, "për të krijuar besim te popullata dhe për të garantuar integritetin e mandatit të këtij institucioni".

Rama: Ndërkombëtarët të ndërhyjnë sa më parë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kërkoi prej ndërkombëtarëve që "të ndërhyjnë në Shqipëri sa nuk është vonë, për të ndalur masakrën zgjedhore dhe dhunimin e njerëzve të pafajshëm".

Në një dalje për mediat, Rama akuzoi kryeministrin Berisha si "frymëzues të dhunës ndaj protestuesve", më konkretisht ndaj dy djemve që morën pjesë në protestë e që sot ndodhen në spital.

"Drejtuesit e policisë do të jenë drejtpërdrejt përgjegjes të dhunës, nëse nuk nxjerrin para ligjit forcat që ushtruan aktin ndaj dy djemve", tha transmetojnë mediat në Tiranë zotin Rama.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›