Drini nuk ndalet, sjell prurjet maksimale, shkarkimet vazhdojnë
Ervin KOÇI
Prurjet në kaskadën e Drinit janë rritur edhe më shumë gjatë paradites së djeshme duke mos dhënë shpresë për një përmirësim të situatës. Sipas të dhënave më të fundit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare në liqenin e Fierzës prurjet e ujit kanë arritur në mesditë në 1600 metra kub në sekondë. Niveli i ujit në hidrocentralin më të madh në vend ndodhet në pikën kritike 290.85 metra dhe vijon të rritet me 2 centimetër në orë. Ndërkohë kuota maksimale në liqenin e Fierzës është 296 metra. KESH po shkarkon nga Fierza përmes portave dhe turbinave të prodhimit 1076 metra kub ujë në sekondë ndërkohë që prurjet janë 1600 metër kub ujë në sekondë. Në liqenin e dytë të kaskadës atë të Komanit, kuota është 169.87 metra, në një kohë që kuota maksimale e lejuar është 175 m. Prurjet që vijnë nga Fierza por edhe ato anësore në këtë hidrocentral arrijnë në 1660 metra kub ujë në sekondë dhe korporata po shkarkon 1844 metra kub në sekondë. Në pikën fundore të kaskadës, hidrocentralin e Vaut të Dejës, kuota e ujit është 73.57 metra mbi nivelin e detit, ndërsa kuota e lejuar është 76 m. Sasia e prurjeve anësore dhe ato që vijnë nga Komani, janë 2440 metra kub ujë në sekondë. Nga ky hidrocentral KESH-i po shkarkon aktualisht 2167 metra kub ujë në sekondë, përmes portave por edhe agregateve të prodhimit.
Prurjet
Ndonëse shkarkimet janë pak më të ulëta se dy ditë më parë, kur arritën në gati 3 mijë metra, ato mbeten sërish ndër më të lartat. Kjo sasi prurjesh, por edhe parashikimet jo optimiste të motit për javët në vijim paralajmërojnë se përmbytjet në zonën e Nën-Shkodrës do të jenë këtë herë më agresive, por edhe më të zgjatura në kohë nga ato të kaluarat. Ekspertët e KESH-it shpresojnë që prurjet anësore në hidrocentrale sidomos atë të Vaut të Dejës të mos rriten më shumë, pasi nëse do të kemi sërish një situatë si ajo e tre ditëve më parë, kur ato arritën deri në 4 mijë metër kub ujë në sekondë, Korporata do të detyrohet t’i shkarkojë të gjitha dhe përmbytjet do të jenë edhe më të mëdha. Nivelet më të ulëta janë në Ulzë, me 127.7 metra, me prurje 900 metër kub për sekondë dhe me shkarkime 1064 m3/s. Ndërsa në Shkopet niveli i ujit është 72.8 metër dhe shkarkimi 1067 m3/s.
BOX/////////////////////////
Parashikimi meteorologjik, ndalet shiu për 5 ditë
Pas fatkeqësisë natyrore të ditëve të fundit, një lajm i mirë vjen për banorët e zonave të përmbytura. Sipas shërbimit meteorologjik të ushtrisë, që nga pasditja e djeshme, sot e në vazhdim moti po shkon drejt përmirësimit. Në këto kushte pritet ndërprerja e reshjeve të shiut në zonën veri-perëndimore Shkodër-Lezhë dhe gradualisht në të gjithë vendin. Reshjet me intensitet të dobët do të ruhen në zonën jugore dhe jug-lindore, reshje të cilat parashikohen të ndërpriten totalisht sot në mbrëmje. Për ditën e nesërme, shërbimi meteorologjik i ushtrisë parashikon një ditë me re por nuk vihet re fenomeni i reshjeve. Ndërkaq, duke filluar që nga dita e hënë e deri të mërkurën pritet që zona e Shkodrës të preket nga reshje me intensitet të dobët, ndërsa rikthimi i reshjeve të furishme pritet të rikthehen në këtë zonë ditën e enjte dhe të premte. Shërbimi meteorologjik i ushtrisë informon se në zonat malore mbi 900 metra kanë nisur reshjet e para të dëborës, kryesisht në Kukës dhe Peshkopi
Koka tjetër///////////////////////////////////////
“SOS”, nga “ushtari i ri”, Daim Ilemllari
Djali i vogël ka lindur në 11 janar 2010, në repartin ushtarak të Gurit të Zi, në fshatin Rrënxë, gjatë përmbytjeve të para të Shkodrës
Dritare////////////////////////////
Energjia elektrike mungon dhe qirinjtë janë krenarë për misionin e tyre primitiv, por akoma fisnik
Daim Ilemllari ka lindur në 11 janar 2010, në repartin ushtarak të Gurit të Zi, në fshatin Rrënxë, në hyrje të Shkodrës gjatë përmbytjeve të para. Aty jetojnë tashmë rreth 355 banorë nga komuniteti Rom, i cili është strehuar nga shtabi i emergjencës në 28 nëntor, e midis tyre edhe familja e Daimit. Por, aty jetohet në kushte që edhe vetë Migjeni, do të mendohej gjatë përpara se të përshkruante mjerimin e tyre në këtë fillim mileniumi. Ata të gjithë e quajnë “ushtari i ri”. Qesh dhe gëzohet në botën e tij të pafajshme duke shtangur të gjithë, ai na akuzon, dhe të gjithë tremben se nuk kanë se çfarë t’i ofrojnë deri më tani?! Erdhëm në datën 28 nëntor në orën 12, por u futëm brenda në orën 1 të natës në errësirë të plotë. Përse kjo torturë pa shpjegim?!
Kushtet e jetesës
Të zhveshur, të lagur, të uritur, të sëmurë, e me prindër që i druhen një fatkeqësie të dytë për fëmijët, ata orvaten në ambientet jashtë standardeve të jetës, ku edhe për kafshët veterinerët nuk do të firmosnin. Dje ministri i Punës, z. Spiro Ksera, dhe stafi i tij zbarkuan për të parë nga afër gjendjen në atë kamp ilegal me njerëz në kulm të dëshpërimit, e të mjerimit. Jetojnë si për ironi të fatit, duke sfiduar këdo që i shikon, pa ujë, pa drita, me një hamburger në ditë, pa ilaçe, pa ndërresa dhe mbulesa, pa krevate dhe vetëm sobat me dru të bëra në pyll gjatë ditës, janë e vetmja ngrohtësi që i mban ata akoma të gjallë. Masmedia nuk është lejuar të hyjë dhe askush nga titullarët përgjegjës nuk është prononcuar, ata janë shprehur jashtë godinës duke ulur kështu angazhimin dhe sensiblizimin që forca e fjalës dhe e imazhit ka në shoqëri dhe politikë. Familjarë pesimistë, fëmijë që kërkojnë minimumin jetik, sy të ftohtë dhe të lodhur që u shmangen përplasjeve mes tyre, janë përplasja e nervave në kulm ndaj shtetit që po përballet me situatën më drastike dhe me premisa për agravim të saj, por që prej 5-6 ditësh i ka harruar ata. Asnjë kusht minimal jetik, asnjë shpresë dhe përkujdesje, e kur dizenteria apo sëmundjet e stinës të përhapen në atë kamp të frikshëm ilegal, parandalimi në kohën e duhur, do të jetë ëndërr e vonuar për të gjithë ne.
Mjerimi
“Nuk kemi ilaçe për fëmijët dhe veten, ja, kemi recetat, por nuk kemi lekë të paguajmë farmacitë, thotë një nënë me 6 fëmijë”. Në dhomat e tyre ka vetëm një sobë me dru, disa shtroje në tokë, dhe ata flenë bashkë disa familje, nga tre dhe katër, qëndrojnë duke u ngrohur më shumë në krahët e njëri-tjetrit. Energjia elektrike mungon dhe qirinjtë janë krenarë për misionin e tyre primitiv, por akoma fisnik. Situata është evidentuar tashmë, por kur të mbërrijnë ndihmat urojmë që fëmijë tjetër viktimë të mos kemi, e politika mos ta përdori për sulm dhe kredo elektorale, turp. Aty këndohet 24 orë në ditë e natë, kënga e trishtimit, e realiteti i tyre të pikëllon, minimum jetik, a thua po eksperimentohet me ata banorë duke testuar varfërinë dhe kokëfortësinë e shtetit! Dhe Daimi, “ushtari” më i ri i repartit në fshatin Rrënxë të Shkodrës, kur të rritet besoj, do të vendosi rregullat e munguara në raste evakuimi....
Shkodër, mëngjes ora 01:00, dt. 04.12.2010
6 Dhjetor 2010