E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia në kaos, greva e përgjithshme paralizon vendin



Blerina Olldashi

Greqia është paralizuar dje nga greva e përgjithshme 1 ditore si pasojë e masave shtrënguese që ndërmori qeveria për të dalë nga kriza e rëndë financiare. Në Athinë dhe Selanik u bllokua trafiku urban dhe ajror, u mbyllën shkollat, ndërsa spitalet ishin në shërbim vetëm për rastet urgjente. Demonstruesit u përleshën me forcat e policisë në disa pjesë të Athinës gjatë protestës masive, ku u përdor gaz lotsjellës kundër grupeve të njerëzve që qëlluan me gurë mbi disa ndërtesa duke shkaktuar dëme. Kjo është greva e dytë brenda 15 ditëve dhe konsiderohet si një test ndaj qeverisë dhe reformave që u mirëpriten nga Brukseli dhe tregjet financiare. Megjithatë duket se kostoja e këtyre vendimeve do të jetë e lartë për qytetarët, të cilët nën moton “Nuk do të paguajnë punonjësit për krizën” refuzojnë uljen e pagave dhe rritjen e taksave. Në sheshet dhe bulevardet e Athinës, por edhe Selanikut, ku është i përditshëm tensioni nga protestuesit e sindikatave të sektorëve të ndryshëm, u mbajtën dy manifestime të mëdha, nga njëra anë të dy sindikatave kryesore të vendit, Konfederatës së Përgjithshme të Punonjësve të Greqisë dhe Bordit Drejtues të Shoqatave të Nëpunësve Shtetërorë, dhe nga ana tjetër të sindikatës së fuqishme Fronti Panhelenik Militant të radikalëve të majtë. Në këto protesta u bë thirrje e hapur për bojkotim të plotë të masave qeveritare si të padrejta dhe antipopullore. “Jo vetëm që nuk ka drejtësi në barrën e masave por janë edhe të njëanshme” deklaron kreu i sindikatës së Shtypit dhe Industrisë së Letrës Janis Tolis. Pas valës së parë të shkurtimeve drastike të pagave dhe ngrirjes së pensioneve punonjësit kanë frikë, me gjithë përgënjeshtrimet qeveritare, për shtrirje të tyre dhe në sektorin privat dhe sidomos një paketë të dytë masash që do të vejë në pikëpyetje kontratat e përgjithshme të punës dhe do t’u lirojë duart punëdhënësve që të shkurtojnë pa kufizimin e dy përqindëshit të tanishëm punonjësit e bizneseve. “Këto masa e përkeqësojnë dhe më tepër krizën, veçanërisht në fushën e ndërtimit. Me rritjen 2 për qind të TVSH-së nuk ka për t’u ngritur asnjë ndërtesë” thotë Stavros Lekas, anëtar i këshillit drejtues të Sindikatës së Ndërtuesve, kur sipas statistikës më të fundit zyrtare ndërtimi ra 22.3 për qind gjatë vitit 2009 në krahasim me një vit më parë. Masat mund të qetësojnë tregjet financiare dhe qeveria të gjejë 20 miliardë euro që i duhen brenda prillit me kamatë më të ulët se ajo e fundit 6.35 për qind, por ekonomia kërcënohet me recesion mbi 2 për qind që mund të rrisë papunësinë në 1 milionë vetë. Në këto kushte pyetjes se sa i rrezikshëm është një përshkallëzim i tensionit për vetë paqen e nevojshme sociale për daljen e vendit nga kriza, Lekas i përgjigjet: “Ata na shpallën luftë, nuk ka paqe sociale. Luftës i përgjigjesh me luftë,” - thotë sindikalisti i majtë kur po merr flakë edhe klima midis sindikatave. Ditë më parë protestues radikalë të një fraksioni ultra të majtë sulmuan dhe goditen kreun e sindikatës më të madhe të vendit Janis Panagopullos si “bashkëpunëtor” të qeverisë, që nga politikanë dhe analistë u vlerësua si sinjali i parë i rrezikshëm për degradimin e protestave në një kaos social dhe vënien në pikëpyetje të programit qeveritar për daljen e vendit nga kriza.

12 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›