Drita Pelinku: Filmi dhe teatri, pasuria më e çmuar në jetën time
Është cilësuar si ikona e skenës dhe filmit, duke u bërë një emër i njohur në artin shqiptar. Drita Pelinku numëron mbi 150 role, madje i fundit nga skena e Teatrit Kombëtar ishte vetëm një vit më parë. Aktorja në moshën 84 vjeçare promovoi dje mes miqve dhe kolegëve albumin e karrierës së saj. Një album fotografik i rrallë për të përkujtuar po një talent të
rrallë të teatrit dhe kinemasë shqiptare si Drita Pelinku. Një broshurë e përgatitur nga arkivi i filmit, në të cilin përfshihen dhjetëra imazhe nga rolet e Pelinkut jo vetëm në teatër, por edhe në kinematografi. Drita Pelinku ishte dikur, e para dhe e vetmja vajzë që hyri në shkollën e artit dramatik shqiptar, duke thyer tabutë e shoqërisë feudale. Albumi një botim i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit ishte menduar të prezantohej me rastin e festave të 7-8 marsit. Pelinku është tërhequr nga skena vetëm para një vit. Për herë të fundit u shfaq në janar 2009, me monodramën, Rouz të Martin Sherman me regji të ish studentit të saj, Bujar Alimani. E veshur me buzëqeshjet, buqeta lulesh dhe urime të kolegëve ajo tregon sekretin e viteve të gjata dhe të suksesshme në skenën e teatrit, por dhe në filmin shqiptar. Dua ti falënderoj që të gjithë, por dua të përgëzoj studentët e mi, të cilët po më përfaqësojnë me arritjet e tyre. Falënderoj AQSHF për këtë pasuri të çmuar që po iu lë fëmijëve nipërve dhe mbesave të mia. Filmi dhe teatri janë pasuria më e çmuar në jetën time. Puna më ka mbajtur gjallë. Unë pa punë dhe tani që kam një vit që jam larguar, unë prapë punoj. Studioja ime në shtëpi është e hapur për të gjithë studentët që kanë nevojë dhe besoj që atë ditë që do të heq dorë nga puna, atë ditë do të kem marrë fund me siguri, tregon me plot emocione Drita Pelinku. Për interpretimin e saj të fundit në skenën teatrore vetëm një vit më parë aktorja është shprehur: Është një sipërmarrje e re, mjaft e bukur, por në të njëjtën kohë dhe shumë e vështirë për tu realizuar. Rouz është një monodramë krejtësisht e veçantë. Në të përfshihen ngjarjet më të mëdha të shekullit XX. Janë një grumbull faktesh të njohura apo të pazbuluara më parë, jetë njerëzish, marrëdhëniesh. Të gjitha këto shkojnë te shikuesi përmes kujtesës së personazhit kryesor, Rouz, një grua me origjinë hebreje, që i ka kaluar të 80-at. Ajo ka përjetuar ngjarjet më tronditëse, ka parë familjen e saj të shuhet e të ringrihet, por në botën e saj intime kalon edhe linja e dashurisë. Është një ndjesi që e përshkon gjithë veprën. Është një rol shumë i rrallë. Në karrierën e saj të gjatë në teatër ajo ka interpretuar përkrah emrave të mëdhenj të skenës si Naim Frasheri, Prokop Mima, Kadri Roshi e shumë të tjerë, por ajo çfarë ajo kujton si kujtimet më të shtrenjta janë duartrokitjet e publikut në çdo premierë teatri dhe filmi. Ndonëse është tërhequr nga skena prej një viti Pelinku është gjithnjë afër teatrit si spektatore, duke mos munguar në asnjë premierë të tij. E pranishme në këtë aktivitet kushtuar aktores së madhe, drejtoresha e AQSHF Elvira Diamanti tregon se aktorja e njohur është figura tipike, që ka dhënë aq shumë dashuri në jetën e saj. Një jetë është e plotë dhe merr kuptim, jo kur ti ke bërë gjithçka për karrierën tënde, familjen tënde, por kur ke mundur vërtete të japësh dashuri, të ushqesh shpresa dhe ëndrra për ata që të rrethojnë dhe zyshë Drita është tipike një figure që ka mundur të japë aq shumë dashuri, tregon Diamanti.
Nga jeta e aktores
Drita Pelinku u lind në Vlorë më 3 dhjetor 1926. Është e para aktore e shkollës dramatike në vitin 1945. Në Teatrin Kombëtar e ka nisur karrierën në vitin 1946, ndërsa roli i fundit ka qenë në vitin 2009 me monodramën Rouz. Ka interpretuar me shumë sukses mbi 120 role, ku është vlerësuar me çmime e tituj. Mban titullin Artiste e Merituar (1986) dhe Mjeshtre e Madhe (2000). Për herë të fundit, Pelinku është ngjitur në skenë në janar 2009, me rolin e një gruaja hebreje 80-vjeçare. Rouz ishte monodrama e Martin Sherman me regji të ish-studentit të saj, Bujar Alimani