E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukuvajkat ekonomike



Nga Fatmir Kovaçi

Edhe pse opozita po i mëshon faktorit krizë për të nxjerrë lakuriq qeverinë përpara shqiptarëve dhe për ta bërë fajtore se nuk po merr masa, faktet ekonomike nuk i japin të drejtë. Performanca e ekonomisë në tremujorin e parë të këtij viti, janar-mars 2009, është në tërësi pozitive. Eksportet kanë ruajtur ritmin e të njëjtës periudhë një vit më parë, ndërkohë që shumë pseudoanalistë shpreheshin se sektori i fasoneve (prodhimeve për eksport me material porositësi) është në katastrofë dhe do të nxjerrë 10 mijë punonjës në mes të katër rrugëve. Është e vërtetë që doganat janë me deficit për shkak të uljes tri herë të çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe të uljes shumë të fortë po ashtu të drithërave dhe materialeve të ndërtimit. Megjithatë, ato kanë rritje në vëllimin absolut të parave që siguruan tremujorin e parë, edhe pse kjo rritje ishte më pak se parashikimi. Ndërkohë, ministri ynë i Financave me të drejtë njoftoi dje se janë 260 milionë euro të kontraktuara nga privatizimet strategjike që do të vihen në rezervë (kontigjencë) për të përballuar pasojat e krizës. Dhe këto para, së bashku me rreth 156 milionë euro rezerva të vetë buxhetit të shtetit (bëhen 416 milionë euro ose rreth pesë për qind e prodhimit të përgjithshëm të brendshëm të vendit), janë garanci nëse do të kemi ditë më të këqija nga kriza financiare botërore. Madje, ministri dhe qeveria mendon ta përdorë një pjesë të tyre, duke rritur rrogat dhe pensionet më 1 maj, si dhe duke kompensuar uljen e taksës së sigurimeve shoqërore nga 20 për qind që është sot në 15 për qind. Këto dy masa do të rrisin kërkesën konsumatore (rrogat dhe pensionet më të larta) dhe ofertat për punë (çlirohen para tek punëdhënësit). E si mund të parapërgatitemi më mirë për ditë më të këqija? Le ta thonë strategët e opozitës, nëse kanë skenarë të gatshëm. Mos duhet vallë që qeveria t’u shpërndajë para kesh kategorive në nevojë të popullsisë? Këtë s’e ka bërë asnjë vend në vështirësi shumë më të mëdha se ne gjatë këtyre muajve krizë. Por, ja edhe u kuturisëm dhe e bëmë. A zgjidhëm gjë? Jo, vetëm rënduam gjendjen e më të varfërve, pse nëse marrin edhe 100-200 mijë lekë të vjetra ndihmë për familje nga qeveria, do të kërkojnë ta marrin këtë ndihmë në pafundësi, duke ulur dëshirën për të gjetur një punë më tepër dhe për të shtuar të ardhurat me punë. Ndërsa për paketa të tipit amerikan apo gjerman, me injektimin e parave shtetërore nëpër banka, vendi ynë nuk ka nevojë, sepse fatmirësisht sistemi ynë bankar është tepër likuid (ka para të thata) dhe kreditë e këqija nuk përbëjnë shkak për tronditje të tij. Sigurisht që nga ulja e kërkesës botërore dhe nga rënia e dërgesave të emigrantëve edhe bankat tek ne po ulin ritmin e kreditimeve. Edhe pse kredia në tërësi është në rritje, ajo nuk është në shtim me atë ritëm sa të një viti më parë, për shembull. Dhe kjo është e kuptueshme, në kushtet ku ndodhet e gjithë bota financiare sot. Megjithatë, me një inflacion të ulët nën kontroll dhe me një ulje të monedhës vendase (lekut) në masën vetëm 5 për qind ndaj euros, kur monedhat e fqinjëve ballkanikë janë ulur nga 15-25 për qind, nuk kemi arsye pse të trumbetojmë krizë dhe vetëm krizë. Nuk kemi arsye pse të presim paketa gjigande shpëtimi me ndërhyrje madhore nga shteti dhe qeveria. Nuk jemi në kataklizëm apo gjendje pranë katastrofës. Do të jenë muaj dhe periudhë e vështirë për të gjithë, por jo e pakapërcyeshme. Prandaj dhe zërat e kukuvajkave të rrezikut për rënie në zi ekonomike të vendit nuk duhen dëgjuar. Në të kundërt, duhet përkrahur çdo nismë e arsyeshme e sipërmarrjes së lirë për të zgjeruar biznesin. Shpeshherë, pikërisht në kohë të vështira, ka edhe shtysa për të rritur prodhimin apo shërbimet. Kjo mund të ndodhë me sezonin turistik shqiptar që po afron apo me prodhimin bujqësor dhe nuk ka asnjë arsye të jemi tërësisht pesimistë për ecurinë e ardhshme të ekonomisë sonë. Për më tepër kur G 20-a i dha gjysmë triliardi dollarë FMN-së pesë dite më parë dhe po të jemi realisht në vështirësi, kjo organizatë ndërkombëtare financiare nuk do të ngurrojë të na ndihmojë. Kësisoj, janë të gjitha gjasat që të tregohemi optimistë për të ardhmen e ekonomisë dhe xhepave tanë, edhe pse me rritje ekonomike më të ulët se një vit më parë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›