Drita kërcënon me largim nga Superliga
Skuadra e Dritës, e cila u pozicionua në vendin e dytë gjatë stinorit vjeshtor, ka gjasa të mos i vazhdojë fare garat në pjesën e dytë të kampionatit në Superligë.
Shkak për këtë tërheqje të mundshme nuk janë kushtet e vështira financiare, por pritja e keqe që u është bërë gjilanasve të mërkurën në Kaçanik nga skuadra e Lepencit.
Udhëheqësit e Dritës ankohen se me dhunë janë mundur nga Lepenci 2:1. Për këtë
kryetari i bardhekaltërve, Sedat Pajaziti, i ka bërë thirrje Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) që të marrë masa të ashpra ndaj klubit të Lepencit.
“FFK’ja nuk guxon t’i mbyllë sytë karshi atij realiteti. Ata e di mirë se si jemi pritur nga Lepenci. Kjo nuk është hera e parë që po na ndodh. Por, Lepenci pritje të njëjtë i ka bërë edhe KEK-ut, Lirisë, etj. Andaj Federata duhet t’ia pezullojë terrenin, në mënyrë që skuadrat tjera t’i shpëtojnë fatit që na përcolli ne. Lepenci duhet të luajë deri në 100 kilometra larg stadiumit të vet. Të luash aty futboll është njëjtë sikur të luash në xhungël”, ka deklaruar Pajaziti për Express.
Nëse shtëpia e futbollit kosovar nuk merr pasa ndaj klubit kuqezi, Pajaziti ka kërcënuar se do ta tërheqë skuadrën e tij nga garat e Superligës së Kosovës.
“Nëse FFK-ja nuk e dënon Lepencin, atëherë ju garantoj se garat e Superligës do të prishen. Skuadra ime do të tërhiqet. Nuk mund t’i marrim futbollistët nga shtëpitë e tyre për t’i dërguar me luajt futboll, e t’i kthejmë të traumatizuar”, përfundoi Pajaziti.
Ndeshja ndërmjet Lepencit dhe Dritës nuk kishte pasur rrjedhë dhe përfundim të mirë. Pas ndeshjes gjilanasit i kanë kritikuar kaçanikasit për pritjen që ua kishin bërë, duke u ankuar se futbollistët e tyre gjatë gjithë ndeshjes ishin grushtuar dinakërisht nga futbollistët e Lepencit, me ç’rast futbollisti gjilanas, Visar Sermaxhaj nga fusha e blertë me auto-ambulancë ishte dërguar në spital për të marrë tretman mjekësor.
Po ashtu bardhekaltrit, të cilët sezonin vjeshtor e kanë përmbyllur në vendin e dytë të renditjes tabelore me dy pikë më pak sesa Prishtina, janë ankuar se pas ndeshjes tifozët vendas ua kishin demoluar autobusin e tyre.