E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interesant, pa cilësi

Sezoni vjeshtor në Superligë ishte më interesanti, për dallim prej viteve të kaluara. Kështu mendojnë njohësit e futbollit kosovar. Sipas tyre, pretendimet e shumë ekipeve për ta fituar titullin e kampionit dhe rritja e shikueshmërisë i kanë dhënë ‘infuzion’ elitës së futbollit në vend. Megjithëkëtë, ata thonë se cilësia nuk është rritur.

Edhe pse në kushte të vështira financiare, klubet e Superligës me ‘sukses’ kanë arritur t’i dalin në fund pjesës së parë të kampionatit.

Sipas njohësve të futbollit, sezoni vjeshtor në elitën e futbollit kosovar ishte njëri prej më interesantëve në vitet e fundit.

Sipas tyre, rritja e shikueshmërisë dhe kualiteti afërsisht i barabartë thuajse i të gjitha ekipeve i ka zbukuruar garat e sivjetme të Superligës.

“Kjo pjesë e kampionatit ka qenë e mirë dhe interesante, sepse relativisht ekipet kanë qenë të barabarta. S’ka pas ekip që ka qenë më i miri, pasi asnjëri prej tyre nuk është shkëputur me pikë prej ekipeve tjera. Nëse skuadra e fundit e ka mposht kandidatin për titull, siç ka ndodh disa herë sivjet, del se relativisht ekipet kanë qenë të barabarta”, ka deklaruar trajneri i njohur kosovar, Afrim Tovërlani, për Express

Mirëpo, sipas Tovërlanit, i cili me FC Prishtinën kishte fituar dy herë titullin e kampionit dhe një Superkupë, futbolli kosovar nuk ka bërë asnjë hap para në aspektin e ngritjes së cilësisë.

“Ngritje të cilësisë nuk mendoj të ketë pasur. Ngritja e vetme e cilësisë mendoj se ka qenë rritja e shikueshmërisë. Shikues ka pasur shumë, pasi ekipet relativisht kanë qenë të barabarta, sepse nuk ka pasur person që ka mundur të ndikojë në shkëputjen e ekipit të tij prej ekipeve tjera”, theksoi strategu prishtinas, i cili beson se stinori pranveror do të jetë akoma më i mirë.

“Padyshim se sezoni vjeshtor do të jetë edhe më tërheqës për shikues dhe nuk do të dihet asgjë deri në dy xhiro para fundit të kampionatit. Lufta për titull e për mbijetesë do të jetë e hapur, kurse ekipet që përforcohen me lojtarë të qëlluar gjatë dimrit do të jenë përfituesit më të mëdhenj”, vazhdoi ai.

Në anën tjetër, edhe ish trajneri i disa skuadrave kosovare dhe maqedonase, Bylbyl Sokoli mendon se sezoni vjeshtor në Superligë ishte më interesant sesa në vitet e fundit.

“Inkuadrimi i Lepencit, Dritës e Gjilanit në Superligë ka ndikuar me rritjen e shikueshmërisë. Po ashtu, në zbukurimin e këtij sezoni ka ndikuar edhe transmetimi i drejtpërdrejtë në televizione të ndeshjeve të futbollit”, thotë ai.

Ndërsa sa i sa i përket ngritjes së cilësisë në elitën e futbollit kosovar, Sokoli është i çartë.

“Për mendimin tim të lirë nuk ka pasur ngritje të cilësisë, por ka pasur rivalitet, sepse shumë ekipe luftojnë për titull të kampionit. Është brengosëse puna e kryesive të klubeve. Klubet vazhdojnë t’i paguajnë mesatarisht nga 150 euro futbollistët e tyre. Kjo s’ka të bëjë me profesionalizëm. Derisa lojtarët e trajnerët nuk paguhen më mirë, nuk mund të pritet profesionalizëm e as ngritje e cilësisë”, u shpreh Sokoli i cili parashikon që sezoni pranveror do të jetë akoma më i ‘nxehtë’

Numri i skuadrave që po luftojnë për titull të kampionit këtë sezon është shumë më i madh sesa viteve të kaluara. Prishtina, Drita, Trepça ’89, Vëllaznimi e Hysi janë kandidatë më seriozë për këtë trofe, derisa ekipet tjera prioritet kryesor kanë mbetjen në Superligë, pasi diferenca në pikë mes tyre është shumë e vogël.

Skuadra më e suksesshme gjatë stinorit vjeshtor ishte Prishtina, e cila me 34 pikë do të dimërojë si kampione, duke e lënë pas Dritën me vetëm dy pikë më pak.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›