Dritan Dajti: Policia zhduku tabulatet e përgjimit të telefonit tim
Pak muaj më parë, një prej kabllogrameve të Ambasadës Amerikane, publikuar nga siti WikiLeaks, shkruante se zëvendës drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Agron Kuliqi, një prej njerëzve më të fuqishëm të policisë shqiptare, ka patur kontakte me Dritan Dajtin dhe e ka informuar atë për operacionet që përgatiteshin për arrestimin e tij.
Tiranë – Dritan Dajti, njeriu më i akuzuar aktualisht nga drejtësia shqiptare, ka dëshmuar për herë të parë në procesin gjyqësor që është hapur kundër tij, i akuzuar për vrasjen e katër policëve dhe një civili, në Gusht të vitit 2009, në Durrës. Ndërsa është përpjekur të hedhë poshtë akuzën, duke mos e pranuar vrasjen, Dajti ka akuzuar policinë dhe prokurorinë për zhdukjen e tabulateve të telefonit të tij.
Dajti iu referua dëshmisë së bërë, me dyer të mbyllura nga ish shefi i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar A.Muça, sipas të cilit, Dritan Dajti kishte qenë vënë nën përgjim nga policia para se të arrestohej. Por pas datës 7 Gusht, dita e krimit dhe arrestimit të Dajtit, tabulatet e telefonit të tij nën përgjim janë zhdukur. Madje ai ka referuar edhe deklarime të prokurorit, sipas të cilit operacioni i policisë ka qenë i paorganizuar mirë dhe madje i paligjshëm.
Megjithatë, misteri më i madh i deponimit të tij është zhdukja e tabulateve të telefonit, në të cilat janë fiksuar të gjithë numrat me të cilët Dritan Dajti komunikonte, ndërsa ishte në liri.
Pak muaj më parë, një prej kabllogrameve të Ambasdës Amerikane, publikuar nga siti WikiLeaks, shkruante se zëvendës drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Agron Kuliqi, një prej njerëzve më të fuqishëm të policisë shqiptare, ka patur kontakte me Dritan Dajtin dhe e ka informuar atë për operacionet që përgatiteshin për arrestimin e tij. Pohimet e kabllogrameve u hodhën poshtë nga policia dhe vetë Kuliqi, por e verteta është se Dritan Dajti u ka shpëtuar për mrekulli disa operacioneve për arrestimin e tij, dhe se, sic pohonte edhe kabllogrami i Ambasadës Amerikane, operacioni i 7 Gushtit u zhvillua ndërsa Kuliqi nuk ndodhej në Shqipëri.
Kabllogramet nuk u morën seriozisht nga qeveria dhe drejtësia, por pohimet e Dajtit për zhdukjen e tabulateve të telefonit mund të jenë vërtet filli për të shkuar tek një skandal i madh. Burime jo zyrtare flasin edhe për zhdukjen e makinës së Dajtit nga parkingu i policisë ku mbahej e sekuestruar. Ky është një tjetër element që u shtohet shtresave të mistertit që mbulojnë veprimtarinë kriminale të një prej personave të më rrezikshëm në vend dhe më të informuar për operacionet e policisë kundër tij.
Shkrime të tjera me interes: