Dritan Dajti kërcënon e shan Krimet e Rënda

Dritan Dajti në gjykatë
Sherri dje gjatë seancës për diskutimin e procedurave.
Gjykata, letër Topit, Berishës e Dhomës së Avokatëve.
E dini çfarë ju bëj? Kush kujtoni se jeni ju mo? Ju q… robt! Mos më rruani k… mua!. Rebelohet në sallën e gjyqit Dritan Dajti. I akuzuari për vrasjen e katër punonjësve të Policisë gjatë operacionit për arrestimin e tij më 7 gusht 2009 në Durrës, shpërtheu dje në sharje dhe ofendime drejt trupës gjykuese të tij te Krimet e Rënda. Shkak u bë ndërprerja e fjalës së tij nga ana e kryesueses së seancës, gjyqtares Nertina Kosova, gjatë kohës që kjo e fundit po verifikonte praninë e palëve në proces. I pandehuri Dajti u nxor nga salla e gjyqit me urdhër të gjykatës, ndërsa gjyqi u ndërpre pak minuta më pas për shkak të mungesës së të gjithë avokatëve në proces. Përmes një vendimi të ndërmjetëm, Gjykata vendosi tu drejtohej dhomave të avokatisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë për marrjen e masave urgjente disiplinore ndaj avokatëve, shkresa që do ti bëhen me dije edhe Kryeministrit të vendit, si edhe Presidentit të Republikës, në rolin e kryetarit të KLD-së.
REBELIMI
Seanca e djeshme nisi me 30 minuta vonesë, në pritje të avokatëve mbrojtës, nga të cilët nuk u paraqit asnjëri në gjyq. Banka e avokatëve ishte bosh edhe pasi trupa gjykuese u fut në sallë, ndërsa në kafaz ndodheshin vetëm të pandehurit Dritan Dajti dhe Mariglen Muça. Sipas trupës gjykuese, nga pesë avokatë që duhet të ishin paraqitur në proces, vetëm njëri prej tyre kishte njoftuar Gjykatën me një shkresë për mungesën. Po ashtu, një deklaratë për mungesën e tij kishte paraqitur dhe i pandehuri Erges Xhoxhi. Në kohën që gjykata u kërkoi mendim të pandehurve për vijimin e seancës, i pandehuri Dajti foli nga qelia. Nuk më janë vënë në dispozicion fotokopjet e fletëthirrjeve. Vetëm pesë copë më kanë sjellë, tha me zë të lartë i pandehuri Dajti. Nga ana e trupës gjykuese iu pohua se ato i ishin vënë në dispozicion avokatit të tij. I pandehuri këmbënguli në kërkesën e tij, derisa nga ana e trupës gjykuese iu pohua se i ishte hequr e drejta e fjalës. Në këtë moment, i pandehuri shpërtheu në sharje dhe ofendime drejt trupit gjykues. E dini çfarë ju bëj? Kush kujtoni se jeni ju mo? Ju q… robt! Mos më rruani k… mua!. Këto dhe fraza të tjera më të rënda u shqiptuan nga Dajti, ndërkohë që punonjësit e Policisë e larguan nga salla e gjyqit me urdhër të Gjykatës. U urdhërua largimi i të pandehurit nga salla e gjyqit për shkak të shprehjeve të pamoralshme për etikën e një seancë gjyqësore dhe shprehjeve ofenduese në drejtim të trupit gjykues, argumentoi më pas për procesverbalin e procesit kryesuesja e trupës gjykuese.
MASAT
Për shkak se mungesat e avokatëve u bënë sërish shkak në dështimin e procesit në ngarkim të Dritan Dajtit, Erges Xhoxhit dhe Mariglen Muçajt, gjykata kërkoi dje marrjen e masave disiplinore në mënyrë urgjente për avokatët. Sipas gjykatës, për shkak se avokatët janë bërë shkak për zvarritjen e procesit, shkresa do ti dërgohen Dhomës së Avokatisë Tiranë, Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, do ti bëhen të ditura ministrit të Drejtësisë, Kryeministrit të vendit, si edhe Presidentit të Republikës.
Dajti pa barelë në Gjykatë
TIRANE Ndryshe nga të gjitha seancat e tjera në të cilat ka marrë pjesë që prej nisjes së procesit ndaj tij, Dritan Dajti nuk u fut dje në sallë me karrocë paraplegjikësh. Ai u shfaq në kafazin e sallës së gjyqit mbi paterica. Dritan Dajti ka probleme në të ecur për shkak të një plumbi që i ka mbetur në trup, plumb i marrë në ngjarjen për të cilën ai akuzohet.
Mungesa e avokatëve fut në ngërç gjyqin
Vrasja e 4 policëve në 2009, ende asnjë vendim
TIRANE Mungesat e avokatëve kanë futur në ngërç prej disa seancash procesin gjyqësor në ngarkim të Dritan Dajtit dhe dy të bashkëpandehurve të tij në Gjykatën për Krimet e Rënda. Aktualisht procesi është në fazën e pyetjes së dëshmitarëve të prokurorisë. Për shkak të zvarritjes së procesit nga mungesat e herëpashershme të avokatëve, më 21 shkurt, Gjykata për Krimet e Rënda pati një reagim zyrtar. Sipas këtij reagimi, mbrojtësit e të pandehurve jo vetëm që nuk ishin paraqitur në disa seanca radhazi, por as e kishin vënë në dijeni Gjykatën për arsyet e mungesës. Ju bëjmë me dije se seancat gjyqësore janë shtyrë në mënyrë të përsëritur për shkak të mosparaqitjes së mbrojtësve të këtij gjykimi, fakt për të cilin Gjykata i është drejtuar në mënyre periodike, sipas rastit për çdo seancë gjyqësore, Dhomës së Avokatisë Tiranë, Dhomës Kombëtare të Avokatisë Tiranë (Komisionit të Verifikimit të Ankimit) dhe Ministrisë së Drejtësisë Tiranë (Dhomës së Profesioneve të Lira), si dhe për dijeni ministrit të Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë për marrjen e masave disiplinore për avokatët përgjegjës, thuhej në reagim. Edhe në seancën e djeshme, teksa rikërkoi njoftimin e këtyre hallkave, kryesuesja Kosova u shpreh: Sikurse është kërkuar edhe më parë, por ende nuk ka asnjë përgjigje. ar.ba
ARMAND BAJRAMI