E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jacobson: Zgjidhja e situatës në veri pa cënuar sovranitetin

PRISHTINË- Përkushtimi për sovranitetin e Kosovës, integritetin territorial të saj dhe pavarësinë, si dhe integrimi i vendit në institucionet rajonale dhe ndërkombëtare, do të jenë parimet udhëheqëse të punës së ambasadores së ardhshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, e cila u konfirmua për postin e ri nga Senati, të enjten e kaluar.

Ambasadorja e ardhshme amerikane në Prishtinë ka paralajmëruar se situata mbetet e tensionuar në veri të Kosovës, ndërsa një zgjidhje për problemin atje do të duhej të respektonte sovranitetin e Kosovës, por edhe të merrte parasysh qëndrimet e qytetarëve në veri. Një zgjidhje e situatës në veri dhe normalizimit të marrëdhënieve kërkon një “Modus vivendi” të qëndrueshëm që e respekton sovranitetin e Kosovës, i merr parasysh qëndrimet e qytetarëve në veri, dhe i lejon edhe Kosovës edhe Serbisë të vazhdojnë rrugët e tyre euroatlantike”, ka thënë ajo.

Në dëshminë e saj para Komitetit të Senatit për Politikë të Jashtme, ambasadorja Jacobson ka theksuar se marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët e saj, posaçërisht me Serbinë, janë kyç për stabilitetin rajonal dhe integrimin.
(ma.ar/koha/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›