E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për shkelje, Apeli i Korçës kthen çështjen e vrasjes së taksistit

Taksisti i vrarë, Fredi Talelli

KORÇE – Ka ngjallur debate kthimi në Gjykatën e Faktit në Korçë dosja e të pandehurve për vrasjen e taksistit Fredi Talelli në vitin 2010. Çështja u rikthye nga Apeli për shkelje të procedurave në gjykimin e gjashtë personave, njëri i dënuar me burg të përjetshëm. Gjykata e Faktit kërkoi dje zhvillimin e seancës pa praninë e mediave, duke e justifikuar me vështirësinë që krijonte vendosja e kamerave. Kjo solli reagimin e parë nga familjarët e viktimës Talelli, sipas të cilëve duhet proces i hapur për median. Sapo ka nisur seanca, është komunikuar vendimi i marrë për pranimin e kërkesës së të pandehurve për të pasur gjykimin e shkurtuar, ndërsa prokurori i çështjes ka kërkuar kohë për paraqitjen e konkluzioneve duke bërë që seanca të lihet për një datë tjetër. Jashtë sallës së gjyqit familjarët e taksistit të vrarë janë shprehur se kanë humbur besimin tek drejtësia, por sipas tyre çështja nuk ndalet me kaq. Xhuma Talelli, xhaxhai i taksistit të vrarë i zhgënjyer nga trajtimi i çështjes, është shprehur: “Ata janë një bandë që nuk e meritonin gjykimin e shkurtuar, nuk mund të vritet njeriu dhe vrasësit të kërkojnë të drejta që u takojnë me ligj. Makina e Fredit kushtonte 15.000 euro. Kush do na e paguajë ne këtë, sepse ai la njerëz të tjerë mbrapa, ishte kryefamiljar”. Për këtë ngjarje është dënuar përjetë Elkiero Revani dhe me 52 vjet burg 5 të pandehurit e tjerë. Gjykata e Apelit vlerësoi si shkelje faktin që në Shkallën e Parë nuk u mor parasysh kërkesa për gjykim të shkurtuar dhe se në disa raste është tejkaluar masa e dënimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›