“Dritan Dajti ndiqej jashtë Durrësit”
Trazhgim Sokolaj
Skuadra me 16 agjentë të policis,ë që ishte vënë në ndjekje të Dritan Dajtit më 7 gusht 2009 mund të ketë neglizhuar rrezikun që paraqiste përballja me 38-vjeçarin. Prokuroria ka në dorë planin operacional të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, për kapjen e Dajtit. Dokumenti është nënshkruar më 7 gusht 2009 nga kryepolici Ahmet Prençi, shefi i Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar Arjan Muça dhe drejtuesi i Forcës së Posaçme Fatos Xhani, i cili gjeti vdekjen në përplasjen me armë me të shumëkërkuarin. Burime zyrtare nga policia, thanë se ky plan lë në hije një sërë veprimesh të kryera nga policia, përfshi edhe ndërhyrjen e katër oficerëve që nuk ishin pajisur me masa mbrojtëse në rast se i kërkuari hapte zjarr ndaj tyre. Ndërkohë burime të prokurorisë, thanë se kanë marrë në pyetje 13 punonjësit e policisë që kanë marrë pjesë në aksion. “Ata janë angazhuar në ndjekjen dhe kapjen e Dajtit. Këta punonjës janë marrë në pyetje, ndërsa dëshmitë e tyre përputhen”, thanë burime të Prokurorisë. Ndërkohë, ngjarja e rëndë e vrasjes së katër oficerëve është bërë objekt analizash në Policinë e Shtetit. Nuk është e qartë nëse në planin operacional është kërkuar të bëhej ndonjë konfirmim nëse i kërkuari kishte armë me vete e më pas të ndërhyhej. Njësia e Forcës së Posaçme ku bënin pjesë katër oficerët e vrarë, e cila kryen operacione për kapjen e personave të kërkuar për krime të rënda, që prej vitit 2006 kur është krijuar, nuk ka ndeshur në rezistencë të armatosur. Kjo praktikë punë duket se ka qenë shkak i neglizhimit të rrezikut mesditën e 7 gushtit 2009. Rreth orës 13:36, katër oficerët Fatos Xhani, Kastriot Feska, Altin Dizdari dhe Sajmir Duçkollari, kanë dalë nga makina ku ndiqnin Dajtin dhe kanë tentuar ta ndalojnë atë pranë pistës “Iliria” në Durrës. Katër oficerët e shpallur Dëshmorë pas ngjarjes, kanë qenë në vijën e parë të aksionit, fare pranë automjetit ku ndodhej Dritan Dajti. Në vendin e ngjarjes, kanë qenë ndërkohë edhe 12 agjentë të tjerë të policisë, që po kryenin veprime me qëllim ndalimin e të kërkuarit. Dy prej këtyre agjentëve, kishin ndjekur makinën e Dajtit gjatë lëvizjeve të saj jashtë qytetit të Durrësit. Plani operacional parashikonte që ndërhyrja për kapjen e të kërkuarit do të bëhej pranë banesës me qira ku strehohej Dajti, në zonën e plazhit në Durrës. Sipas analizës së bërë për ngjarjen në Policinë e Shtetit, katër oficerët që ndërhynë nuk kanë pasur urdhër të veçantë në momentin kur kanë dalë para makinës ku ndodhej i kërkuari. “Pranë tyre kanë qenë edhe punonjësit e tjerë të policisë, ndërsa katër oficerët e vrarë ishin në vijën e parë”, thanë burimet. Sipas tyre, reparti i forcave speciale RENEA, nuk është lajmëruar për ndërhyrje derisa Dajti ka vrarë oficerët. Burimet nga hetimi thanë se RENEA ka marrë njoftim në një kohë kur ka mundur vetëm të siguronte vendin e ngjarjes, t’i vinte prangat Dajtit dhe të ushtronte disa kontrolle banesash në zonë, ku dyshohej se kishte bashkëpunëtorë të së kërkuarit.
Prokuroria: Aksioni nuk u dekonspirua
TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda konfirmoi se nga hetimet e saj të deritanishme, Dritan Dajti nuk ka pasur asnjë informacion se policia ishte vënë në ndjekje të tij. “Nga të gjitha provat e grumbulluara deri tani, nuk rezulton që personi i akuzuar për vrasjen e katër efektivave të policisë dhe armëmbajtje pa leje të ketë pasur paraprakisht informacion se policia po planifikonte ndalimin e tij”, thanë burimet e prokurorisë. Sipas tyre, mesazhet e dërguara nga një inspektor i policisë së Durrësit, po verifikohen, por nga përmbajtja e tyre është konfirmuar se nuk ka asnjë informacion, që bën fjalë për aksionin e zhvilluar më 7 gusht pranë pistës “Iliria” në Durrës. Institucioni i hetimeve sqaroi gjithashtu, se deri më tani ndaj Dritan Dajtit, janë ngritur vetëm akuzat për “vrasje në rrethana të cilësuara ndaj më shumë se dy personave” dhe “armëmbajtje pa leje”. “Dajti hetohet për vrasjen e policëve, nuk ka asnjë referim apo kallëzim tjetër deri tani”, thanë burimet e akuzës.