E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia i bën kontroll, hidhet nga kati i dytë

 

SARANDE - Policia shkon ti kontrollojë banesën, taksisti tenton vetëvrasjen duke u hedhur nga kati i dytë. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 21:45 në lagjen nr.1 të Sarandës, kur Selman Lumani, rreth 60 vjeç, është hedhur nga kati i dytë i pallatit ku banonte. Ai ka përfunduar në gjendje të rëndë në spital pak kohë pasi policia kishte mbërritur në banesën e tij për të ushtruar një kontroll rutinë. Sipas burimeve nga policia lokale, agjentët e Antikrimit Ekonomik kanë shkuar dje në mbrëmje në banesën e Selman Lumanit, për një kontroll të zakonshëm. Taksisti që punon në linjën Sarandë-Janinë, nuk ka qenë dakord me kontrollin duke debatuar me forcat e policisë brenda banesës së tij. Pasi ka parë këmbënguljen e forcave të rendit, 60-vjeçari në shenjë proteste është hedhur nga kati i dytë, duke pësuar dëmtime serioze për shëndetin. Menjëherë pas ngjarjes, një grup hetimi mbërriti në shtëpinë e të plagosurit me qëllim verifikimin e rrethanave në të cilat 60-vjeçari ka debatuar me policinë e më pas është hedhur nga kati i dytë. Sipas hetuesve, Selman Lumani, deri pak vite më parë ka qenë efektiv i policisë së Sarandës, por më pas ishte larguar nga ky institucion dhe kishte nisur aktivitetin privat të taksistit në linjën Sarandë-Janinë.                                                                                                  sh.d 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›