Djali i sëmurë mendor mbyt natën babanë 80-vjeçar
Etleva Delia
Djali i sëmurë mendor vret babanë 80-vjeçar. Ngjarja ndodhi pak minuta para mesnatës të së premtes, në një apartament në rrugën "Siri Kodra" në Tiranë. Adnand Shehi, 45 vjeç, pasi e ka goditur në fytyrë babanë e tij, 80-vjeçarin Rudi Shehi, ia ka përplasur kokën pas murit dhe më pas e ka shtrënguar në fyt deri sa ai nuk ka marrë më frymë. Përgjatë minutave të tmerrit, i moshuari ka thirrur për ndihmë, pasi në shtëpi nuk kishin njeri tjetër. Babai dhe djali jetonin vetëm për më shumë se 5 vitesh, duke qenë se gruaja kishte vdekur dhe dy djemtë e tjerë të Rudi Shehit punonin si emigrantë në Itali. Policia është lajmëruar me vonesë për ngjarjen e rëndë, duke qenë se fqinjët nuk i kanë marrë në konsideratë britmat e të moshuarit. Fqinjët thonë se nuk ishte hera e parë që viktima kërkonte ndihmë, pasi vazhdimisht keqtrajtohej nga i biri. Në apartamentin ku ndodhi krimi kanë shkuar oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, të cilët nuk e kanë pasur të vështirë të arrestojnë autorin e vrasjes. Adnand Shehi, pasi i ka marrë jetën të atit, ka qëndruar për disa orë në dhomën tjetër pa lëvizur nga vendi. Ai është arrestuar me akuzën e vrasjes me dashje dhe ka pranuar autorësinë e krimit, duke mos dhënë shumë sqarime rreth ngjarjes.
KRIMI NE FAMILJE
Rreth orës 23:30 para mesnatës të së premtes, fqinjët e familjes Shehi në rrugën "Siri Kodra" në Tiranë, kanë dëgjuar britmat për ndihmë të 80-vjeçarit Rudi Shehi. Lutjet e tij për ndihmë vinin nga brenda apartamentit, në katin e dytë të një pallati parafabrikat, ku ai jetonte vetëm me të birin, Adnand Shehi, 45 vjeç. Ky i fundit, sipas policisë, para disa muajsh kishte dalë nga psikiatria dhe vuante nga çrregullime mendore. Fqinjët fillimisht i kanë neglizhuar thirrjet për ndihmë të të moshuarit, pasi thirrje të tilla ata dëgjonin herë pas here. Sipas dëshmive të tyre, të bërtiturat kanë zgjatur rreth 20 minuta. Fqinjët kanë vendosur të njoftojnë policinë vetëm pasi në apartamentin e familjes Shehi nuk kanë dëgjuar më asnjë zhurmë dhe lëvizje. Kjo qetësi i ka detyruar ata që të telefonojnë në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, duke dyshuar se diçka kishte ndodhur. Menjëherë pas lajmërimit në vendin e ngjarjes ka shkuar policia dhe është konstatuar se aty ka ndodhur një krim brenda familjes. Viktima Rudi Shehi është dërguar në morgun e Tiranës, pasi nuk kishte shenja jete, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes, njëkohësisht djali i viktimës, është gjetur i ulur në dyshemenë e dhomës tjetër, ku është arrestuar. Autori nuk ka bërë rezistencë, madje ka pranuar se ka mbytur të atin duke e shtrënguar në fyt, pasi i kishte përplasur kokën pas murit. Ai nuk ka treguar rrethanat se si kishte ndodhur ngjarja. Sipas policisë, Adnand Shehi vuan nga çrregullimi mendore, madje në shtëpinë e tij është sekuestruar edhe një kartelë e lëshuar nga spitali nr.5.
Viktima
I moshuari Rudi Shehi, 80 vjeç, sipas fqinjëve ankohej vazhdimisht për dhunë nga djali i tij. "Të gjithë e dinim që ai ishte me probleme mendore, por s'kishim se çfarë t'i bënim, nuk e ndihmonim dot", shprehet njëra nga fqinjet. Ajo tregon se kishin tentuar të futeshin brenda kur 80-vjeçari po bërtiste, por dera e shtëpisë ka qenë e mbyllur. Ata kanë lajmëruar policinë vetëm pasi në apartament ka rënë qetësi dhe aty kanë nisur dyshimet se diçka kishte ndodhur.