E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, ura e Bunës mban peng tregtinë me Ulqinin

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Ura e re e Bunës po bëhet pengesë për transportin e mallrave drejt Ulqinit dhe anasjelltas. Në fakt, është pikërisht kjo urë që do të çonte në rritjen e transportit jo vetëm të pasagjerëve, turistëve, por edhe mallrave me këtë zonë me shqiptarë dhe kulturë të turizmit. Tri javë pas nisjes së punës në të vetmen doganë të përbashkët në Ballkan, është kthyer në domosdoshmëri realizimi brenda afateve i projektit të urës së re të Bunës. "Duhet të shpejtoni në ndërtimin e urës se re mbi lumin Buna, pasi prej saj kushtëzohet lëvizja tregtare e mallrave me Ulqinin", është shprehur kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga. Ish-ministri ma-lazez i pakicave etnike ka qenë dhe iniciatori kryesor nga pala malazeze për hapjen e pikëkalimit kufitar të Muriqanit, në maj të vitit 2002. Sipas Hajdinagës, pikëkalimi kufitar i Muriqanit që lidh Shkodrën dhe Shqipërinë me Ulqinin deri më 15 qershor të këtij viti ka shërbyer vetëm për kalimin e njerëzve, ndërsa tani duhet të fillojë edhe qarkullimi i mallrave në të dy anët e kufirit. Ndërkohë, Hajdinaga pohon se gjithçka varet nga ndërtimi i urës së re mbi lumin Buna, pasi ajo aktuale nuk e ka kapacitetin për të përballuar lëvizjen e mjeteve të ngarkuar me mallra. "Nëse do të lejohet kalimi i mallrave pa u bërë ura e re, atëherë kalimi mbi urën ekzistuese i jep shkak lëvizjes së pakontrolluar të mjeteve të tonazhit të rëndë. Kjo do të ishte fatale për vetë gjendjen aktuale të urës ekzistuese", thonë specialistët. Por në fakt Hajdinaga nuk ka lënë pa përmendur edhe një mungesë të theksuar të angazhimit të anës malazeze. Rruga nga dogana e përbashkët Muriqan-Sukobinë, e deri në Ulqin apo Tivar është krejtësisht e ngushtë dhe jashtë kapaciteteve të mëdha transportuese. Pa dyshim nuk ka edhe nuk thuhet asgjë mbi zgjerimin e saj nga qeveria e shtetit të vogël fqinj. Punimet për ndërtimin e urës së re të Bunës filluan vitin e kaluar, ndërsa pritet të përfundojnë në vitin 2010. Por, ecuria e ngadaltë e punimeve lë të dyshosh për realizimin brenda afateve të caktuara të këtij objekti me rëndësi të veçantë. Ndërtimi i urës së re mbi lumin Buna lidhet me zhvillimin ekonomik të gjithë rajonit, sidomos të turizmit. Janë rreth 12 mijë banorë që jetojnë në krahun tjetër të lumit. Bëhet fjalë për banorët e lagjeve Shirokë e Zogaj, buzë liqenit të Shkodrës, një pjesë e lagjes "Liria", një pjesë e komunës Rrethina si dhe komuna Ana e Malit, ku dhe ndodhet pikëkalimi kufitar i Muriqanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›