Porti në kaos, mbifluks emigrantësh
VLORE - Qindra mjete me targa të huaja dhe rreth 2500 udhëtarë, thuajse të gjithë emigrantë, janë drejtuar që në orët e para të ditës së djeshme në portin e Vlorës. Fluksi dhe mosmarrja e masave të nevojshme nga autoritetet portuale dhe Policia Kufitare, sipas emigrantëve ka shkaktuar dhe radhë të shumta, duke rrezikuar të humbasin tragetin e linjës. Tre tragetet e linjës Vlorë-Brindizi kanë një kapacitet prej jo më shumë se 650 automjetesh të tre së bashku dhe për pasagjerë 4500 vetë, ndërkohë në port dje ndodheshin më shumë se kapaciteti i tre trageteve së bashku. Megjithë masat e marra nga Policia Kufitare, ku janë hapur dhe katër sportele të tjera, së bashku me katër ekzistues shkojnë në tetë, fluksi i emigrantëve është i madh. Drejtori i kufirit për qarkun e Vlorës Myzafer Elezi u shpreh dje se do të bëhet e pamundura, që emigrantët që prisnin në radhë të kalojnë të gjithë për në Itali. Sipas autoriteteve portuale kaosin e shkaktojnë personat që kanë prenotuar biletat që në nisje dhe nuk kanë përcaktuar datën e kthimit dhe agjencitë nuk kanë raportuar numrin real të pasagjerëve. q.b